Shkup, 02.10.2026-Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në intervistë për Alsat M ka deklaruar se gjatë vitit të parë të mandatit janë përmbyllur ose kanë nisur një sërë projektesh infrastrukturore në komunë.

Duke folur për realizimin e programit të tij, Mexhiti tha se disa projekte tashmë janë në fazën përfundimtare, ndërsa të tjera pritet të nisin së shpejti.

“Diku jemi në fillim të projekteve dhe diku në përfundim të projekteve, siç po përfundon rruga ‘Ferid Murati’, siç ka filluar rruga ‘Mit’hat Frashëri’, siç po fillon rruga ‘Hasan Prishtina’”, deklaroi Mexhiti.

Sa i përket sheshit “Skënderbeu”, kryetari i Çairit tha se procedurat janë drejt përfundimit dhe se punimet pritet të nisin para Vitit të Ri. Sipas tij, projekti përfshin investime prej mbi 20 milionë eurosh për ndërtimin e parkingut nëntokësor.

Mexhiti bëri të ditur gjithashtu se në shkurt ose mars planifikohet të nisë realizimi i projektit për rrugën “Cvetan Dimov”, të cilën e cilësoi si arterien kryesore të Çairit.

Në plan janë edhe ndërhyrje në ndërtesat kolektive që nuk kanë ashensorë.
“Po ashtu së shpejti do të fillojmë edhe me ashensorët për ndërtesat që nuk kanë ashensor”, tha Mexhiti.

Kryetari i Çairit vlerësoi se brenda vitit të parë të mandatit pritet të realizohet programi i prezantuar gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa për tre vitet e ardhshme paralajmëroi hartimin e një programi të ri në bashkëpunim me qytetarët.

“Mendoj se brenda vitit të parë jemi në realizim të të gjithë programit që e kam premtuar në fushatën zgjedhore dhe do të duhet me qytetarët të punojmë për një program të ri për tre vitet e ardhshme”, përfundoi Mexhiti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume