Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi sot në Shkup se fokusi i Brukselit është zhbllokimi i procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, ndërsa paralajmëroi se javën e ardhshme pritet një hap i ri në këtë drejtim.

Duke folur për faktin se vendi nuk është përfshirë në udhërrëfyesit që BE-ja po përgatit për disa shtete kandidate, Von der Leyen tha se prioriteti aktual është rikthimi i procesit në lëvizje.
“Jemi dakorduar që javën e ardhshme të kemi një hap të parë të ri dhe të përpiqemi ta zhbllokojmë procesin”, deklaroi ajo.

Sipas Von der Leyen, nëse tejkalohet bllokada aktuale, Maqedonia e Veriut mund të përparojë shpejt, pasi tashmë ka bërë punë të konsiderueshme në zbatimin e reformave.

Ajo vlerësoi edhe rezultatet nga Plani i Rritjes, duke bërë të ditur se vendi tashmë ka marrë 140 milionë euro, ndërsa pagesa të tjera priten gjatë javëve të ardhshme.
“Mesazhi im është i qartë: Ju i përkisni tryezës së Bashkimit Evropian”, tha Von der Leyen në konferencën e përbashkët me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Presidentja e KE-së përmendi Marrëveshjen e Prespës si shembull të një vendimi të vështirë politik që hapi rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Ajo vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e Maqedonisë së Veriut me BE-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Von der Leyen rikujtoi se negociatat e anëtarësimit nisën në vitin 2022 dhe se procesi i skriningut përfundoi në më pak se një vit. Sipas saj, tani mbetet “një hap kyç” për të mundësuar hapjen e klasterit të parë, “Themelet”.

“E di sa e ndjeshme është kjo çështje, por dua të jem e qartë: ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj. Besojmë se kultura dhe gjuha maqedonase mund ta bëjnë Bashkimin tonë më të pasur”, deklaroi Von der Leyen.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume