Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, sot priti në takim Laura Djuragic, udhëheqësen e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, të shoqëruar nga z. Gazmend Ilazi, koordinator për Shkëmbim të Programeve Arsimore dhe Aktiviteteve të Alumnive si dhe Katerina Wolfe, asistente e Gjuhës Angleze në kuadër të Programit Fulbright.
Në takim morën pjesë edhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu, dhe udhëheqësja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari-Zeqiri.
Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, pasi u uroi mirëseardhje përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së, shprehu kënaqësinë për vizitën e tyre në Universitetin e Tetovës. Ai e vlerësoi lart bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme nga institucionet dhe personalitetet amerikane, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Gjatë takimit, Rektori i njohu mysafirët me rrugëtimin e Universitetit të Tetovës, zhvillimin e tij akademik dhe shkencor, programet studimore, si dhe bashkëpunimet me universitete nga vendi, rajoni, Evropa dhe SHBA-ja. Ai veçoi bashkëpunimin me Universitetin e Ilinoisit Verior dhe projektet e përbashkëta në fushën e arsimit, ndërsa theksoi se ndërkombëtarizimi mbetet një nga prioritetet e Universitetit. Në këtë drejtim, synohet zgjerimi i partneriteteve me universitete të tjera amerikane, përfshirja e njësive të tjera akademike dhe, në të ardhmen, akreditimi i programeve studimore me mësim në gjuhën angleze.
Znj. Laura Djuragic e falënderoi Rektorin për mikpritjen, respektin dhe konsideratën e treguar, duke shprehur gatishmërinë që bashkëpunimi ndërmjet Ambasadës së SHBA-së dhe Universitetit të Tetovës të vazhdojë të zhvillohet dhe të konkretizohet përmes nismave dhe projekteve të përbashkëta.
Ajo shprehu interesim edhe për numrin e përgjithshëm të studentëve në Universitetin e Tetovës, numrin e studentëve të regjistruar në vitin e ri akademik, programet studimore që ofron Universiteti dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e tregut të punës. Palët shkëmbyen mendime edhe për mundësitë që ofrojnë programet e mobilitetit dhe shkëmbimit akademik, përfshirë programin Fulbright dhe Erasmus+, si dhe për zgjerimin e pjesëmarrjes së studentëve dhe stafit akademik në këto programe.
Në përfundim të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, me fokus në ndërkombëtarizimin, mobilitetin akademik, shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në interes të studentëve dhe zhvillimit të mëtejshëm akademik e institucional.




