Meridian Ramçaj ka folur së fundmi për gjendjen e aktores Monika Lubonja, duke treguar se ka komunikuar me të dhe se, sipas tij, ajo po kalon një periudhë të vështirë emocionalisht.

Ramçaj tha se reagimet dhe komentet e publikut kanë ndikuar ndjeshëm tek aktorja.

“Unë kam folur me Monikën. Gjendja e saj është shumë e rënduar, psikologjikisht dhe emocionalisht. Normalisht, fjalët e publikut të lëndojnë”, u shpreh ai.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, shumë njerëz nxitojnë të japin gjykime pa i njohur të gjitha faktet.

“Ne jemi një popull që alfabetin e kemi A dhe ZH, nuk kemi ABC. Nuk i marrim fare shkronjat me radhë, por duam të kalojmë direkt te ZH-ja. Pra, shohim një puzzle pa i parë të gjitha copat dhe menjëherë dalim në përfundim”, tha Ramçaj.

Sipas tij, personat e përfshirë në këtë situatë duhet t’u drejtohen institucioneve përkatëse dhe të ndjekin rrugën ligjore.

“Mendoj se duhet të marrin guximin dhe të bëjnë denoncimin. Normalisht, një denoncim duhej të ishte bërë”, deklaroi ai.

I pyetur nëse duhet të ketë edhe mbështetje institucionale, Ramçaj tha se, sipas tij, në raste të tilla duhet të jenë të pranishme edhe shërbimet sociale.

“Besoj që duhet të jenë edhe shërbimet sociale të pranishme”, u shpreh ai.

Ramçaj tregoi gjithashtu se gjatë komunikimit të fundit me Lubonjën kishte vënë re qartë gjendjen e saj emocionale.

“Nuk e kam pyetur drejtpërdrejt, por e pashë se emocionalisht ishte shumë e rënduar. Po përpiqesha t’i thosha se nuk ka bërë asgjë që nuk e kanë bërë edhe të tjerët dhe se nuk ka pse të shqetësohet”, tha ai.

Deklaratat e Meridian Ramçajt vijnë në një moment kur Monika Lubonja ndodhet në qendër të vëmendjes publike, ndërsa ai apelon për më shumë kujdes në gjykime dhe për trajtimin e çështjes përmes institucioneve përkatëse.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume