VMRO kërkon nga Prokuroria të hetojë pretendimet e Filipçes për kontratën e helikopterëve, 37 milionë euro më të shtrenjtë
VMRO-DPMNE kërkon nga Prokuroria Publike që të verifikojë pretendimet e bëra publikisht nga kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, lidhur me furnizimin me helikopterë dhe kontratën për të cilën, sipas deklaratës së tij, kishte nënshkruar vendim ish-ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska.
Nga VMRO-DPMNE thonë se Filipçe ka deklaruar publikisht se Petrovska kishte “nënshkruar kontratë për furnizimin me helikopterë, 37 milionë euro më të shtrenjtë, pasi komisioni kishte marrë një vendim tjetër”.
Partia vlerëson se bëhet fjalë për pretendime serioze, të cilat, sipas saj, nuk duhet të mbeten në nivelin e përplasjeve politike, por duhet t’i nënshtrohen një verifikimi institucional.
“Nëse ekzistojnë njohuri për parregullsi ose veprime të mundshme në kundërshtim me ligjin gjatë furnizimit, institucionet kompetente duhet t’i verifikojnë ato”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga kjo parti i bëjnë thirrje Prokurorisë Publike që t’i shqyrtojë pretendimet e paraqitura nga Filipçe dhe të verifikojë nëse ekzistojnë baza për dyshime për veprime të paligjshme gjatë procedurës së furnizimit.
Njëkohësisht, VMRO-DPMNE e fton Filipçen që t’i bëjë publike informacionet që posedon dhe t’ua dorëzojë ato institucioneve kompetente.
Nga partia theksojnë se akuzat publike për një kontratë me vlerë, siç pretendojnë, 37 milionë euro më të lartë, duhet t’i nënshtrohen verifikimit institucional dhe të marrin përgjigje para opinionit publik.
“Prokuroria Publike të veprojë urgjentisht dhe të hapë lëndë, sepse për këtë rast duhet të ketë drejtësi dhe përgjegjësi”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.