Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se dialogu i grupit të punës për Kodin Zgjedhor do të zhbllokohet pasi “opozita e bashkuar – E Majta, LSDM-ja dhe BDI-ja” të vijnë në takim me një propozim.

“Ata nuk vijnë. E Majta është e interesuar për paratë që të shkojë në Halkidiki, të blejë prona dhe të hapë kafene. LSDM-ja nuk e di se çfarë dëshiron. Për BDI-në mund të them se e di se çfarë dëshiron, por kjo është e pamundur”, tha Mickoski.

Ai u bëri thirrje që të merren vesh mes tyre dhe tha se çdo marrëveshje që do ta arrinin ata do të pranohej, ndërsa mbetet kërkesa për lehtësimin e votimit të diasporës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2029.

“Le të ulen, le të merren vesh. Atë për të cilën do të merren vesh, ne do ta pranojmë. Ndërsa kushti i VMRO-DPMNE-së është që të lehtësohet votimi i diasporës duke filluar nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2029. Këtë kërkojmë. Mendoj se nuk po kërkojmë shumë”, tha Mickoski.

Pushteti dhe opozita në Maqedoninë e Veriut deri më 16 korrik nuk arritën marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, e cila është pjesë e Agjendës së Reformave. Ky ishte edhe afati i fundit i përcaktuar për miratimin e këtij ligji reformue.

Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.

Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume