Behgjet Pacolli ka paralajmëruar ndjekje ligjore ndaj ish-ministrit Ylli Manjani dhe opinionistit Arjan Curri, pas deklaratave të tyre në emisionin “Top Story”.

Në emision, Manjani ka ngritur pretendime lidhur me Pacollin dhe një transaksion financiar, duke deklaruar se ai “mori paratë” dhe më pas shkoi me një dokument për firmosje te administratorët e kompanisë VIA, por sipas Manjanit, asnjëri prej tyre nuk pranoi ta firmoste.

“Mirë që e la peng aeroportin atje, por dhe lekët do t’i çonte në Afrikë”, është shprehur Manjani gjatë emisionit.

Pas këtyre deklaratave, Pacolli ka reaguar duke i cilësuar akuzat “të pavërteta, shpifëse dhe të pambështetura në fakte”. Ai ka deklaruar se është i gatshëm t’i përballë me dokumente dhe prova dhe ka paralajmëruar se të hënën do t’u drejtohet institucioneve kompetente dhe gjykatave në Tiranë dhe Lugano.

Pacolli ka bërë të ditur se veprimet ligjore do të përfshijnë edhe Arjan Currin për deklaratat e tij.