Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është optimist që plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara do të kalojë nesër në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ai ka thënë se pret që iniciativa e kësaj partie, të përkrahet nga të gjithë deputetët.

“Nesër në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jetë ligji për plotësim-ndryshimin për Dhomat e Specializuara. Kjo është një iniciativë ligjore e Partisë Demokratike të Kosovës, por e përkrahur masivisht edhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës, për çka dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e tyre për përkrahjen e këtij projektligji. E ka marrë miratimin edhe nga Qeveria dhe tash i plotëson të gjitha kushtet që procedohet në Kuvend”, ka deklaruar Hamza.

“Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët, edhe i lus edhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji, dhe ky ligj nesër t’i përfundojë të gjitha procedurat e nevojshme brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendosë drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë”, ka thënë ai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume