Një 32-vjeçar rumun, i akuzuar se hyri me forcë në apartamentin e ish-partneres së tij dhe e sulmoi atë dhe partnerin e saj aktual me thikë, shtetas shqiptar, është paraqitur të martën para gjyqtarit hetues në Lavrio të Greqisë. I riu pranoi akuzat për tentativë vrasjeje ndaj ish-partneres së tij, si dhe për katër vepra të tjera penale: posedim dhe përdorim të paligjshëm të armës, dëmtim të pronës së tjetrit dhe shkelje të kushteve kufizuese.

Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatës së 1 tetorit. Në atë moment, 32-vjeçarja ndodhej në banesë në zonën e Lavrios, së bashku me dy fëmijët e mitur që kishte me autorin dhe partnerin e saj aktual.
Sipas informacioneve të bëra publike për ngjarjen, 32-vjeçari u ngjit përmes skelave deri te ballkoni i apartamentit. Më pas theu xhamin me një çekiç dhe hyri brenda, duke sulmuar ish-partneren e tij. Partneri aktual i gruas ndërhyri për ta mbrojtur, por u godit edhe ai me thikë. Për pasojë, burri ka pësuar plagë të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike, duke u trajtuar në repartin e kujdesit intensiv të një spitali.

Edhe 32-vjeçarja mbeti e plagosur gjatë sulmit. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim në një klinikë private. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe shkeljen e kushteve kufizuese nga ana e 32-vjeçarit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume