Skena politike në Maqedoninë e Veriut po zgjerohet me një tjetër parti me identitet serb. Ish-kryetari i Komunës Qendër në Shkup dhe ish-funksionari i LSDM-së, Sasha Bogdanoviq, rikthehet në politikë me Lidhjen Demokratike Serbe.
Partia e re do të mbajë sonte, në orën 18:00, kongresin e parë zgjedhor në sallën e vogël të Filarmonisë në Shkup, ku pritet të prezantohen strukturat drejtuese dhe orientimi politik i saj.
Bogdanoviq, i cili në vitin 2017 u zgjodh kryetar i Komunës Qendër si kandidat i LSDM-së, kishte paralajmëruar që në mars formimin e subjektit të ri.
Ai ka deklaruar se emri i partisë lidhet me traditën e organizimit politik të serbëve në këto treva, por ka theksuar se Lidhja Demokratike Serbe nuk do të kërkojë mbështetje vetëm nga komuniteti serb, por nga qytetarët e të gjitha përkatësive etnike.
Me këtë iniciativë, në skenën politike të Maqedonisë së Veriut shfaqet një tjetër subjekt që synon të përfaqësojë interesa politike përmes organizimit me identitet serb.