Nëna e Cristiano Ronaldos, Dolores Aveiro, ka folur për periudhën e vështirë që ka përjetuar Ronaldo, duke zbuluar edhe bisedën telefonike që pati me yllin portugez pas largimit të tij nga grumbullimi i kombëtares.

Në një intervistë, Dolores tregoi se e kishte telefonuar Cristiano Ronaldon për të mësuar më shumë rreth situatës, ndërsa ai i kishte kërkuar të mos shqetësohej.

“Pasi djali im u largua nga grumbullimi i kombëtares, e telefonova dhe ai më tha: ‘Mami, mos u shqetëso. Do ta tregoj të vërtetën kur të jemi të gjithë bashkë’.

Unë iu përgjigja: ‘Në rregull, biri im. Kaloje këtë situatë’”, rrëfeu ajo.

Dolores zbuloi se ishte përpjekur ta qetësonte Ronaldon dhe t’i jepte gjithë mbështetjen e saj, por në fund vendimi i takonte vetë Ronaldos.

“I thashë të qëndronte i qetë, por në fund ai e mori vendimin e tij. U përpoqa t’i jepja gjithë forcën time, por kjo nuk e ndryshoi asgjë”, u shpreh nëna e Ronaldos.

Ajo nuk i fshehu as emocionet, duke theksuar se Ronaldo ka dhënë jashtëzakonisht shumë për Portugalinë dhe se, sipas saj, nuk është vlerësuar gjithmonë ashtu siç e meriton.

“Cristiano i ka dhënë shumë Portugalisë dhe do të jetë gjithmonë aty. Ai ka qenë gjithmonë heroi i Portugalisë, por nuk i dhanë vlerësimin që meritonte, në mënyrën që e meriton”, deklaroi Dolores.

Ajo pranoi se kishte derdhur lot, duke shtuar se ndonjëherë të qarët është një mënyrë për të çliruar emocionet e grumbulluara.

“Qava pak. Ndonjëherë, të qash të ndihmon të çlirosh atë që ndien. Duhet ta kalojmë këtë fazë”, u shpreh ajo.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume