Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, gjatë vizitës së tij në Tiranë, është takuar me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, me të cilin ka diskutuar për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin institucional dhe çështjet që lidhen me komunitetet dhe kohezionin shoqëror.

Ferati theksoi se një rajon më i lidhur, më bashkëpunues dhe më evropian ndërtohet përmes dialogut të drejtpërdrejtë, shkëmbimit të përvojave dhe partneriteteve konkrete.

„Avancimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në një stad të ri është parakusht për funksionimin edhe më efektiv të Marrëveshjes së Ohrit“, ishte mesazhi që ministri Ferati ia përcolli kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, gjatë takimit të tyre në Tiranë.

Gjatë bisedës, ata diskutuan gjithashtu për rëndësinë e kultivimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve dhe nevojën për bashkëpunim konkret institucional, veçanërisht në çështjet që lidhen me komunitetet, standardin e jetesës, përfshirjen dhe forcimin e kohezionit shoqëror.

Ministri Ferati shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe për bisedën e hapur e përmbajtësore, e cila u zhvillua në një moment kur Kuvendi i Shqipërisë po diskutonte edhe ligjin për reformën territoriale të bashkive në Shqipëri.

Në kuadër të Forumit të Biznesit të Ballkanit, Ferati u takua gjithashtu me Jorida Tabakun, një nga figurat drejtuese të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të cilën e cilësoi si një figurë mjaft të dashur për partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë këtij takimi, ata biseduan për bashkëpunimin në kuadër të familjes politike evropiane dhe për rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

„Do të vazhdojmë të ecim së bashku në këtë rrugëtim evropian“, theksoi Ferati, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe të partneriteteve që kontribuojnë në afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume