Millan Radioçiq dhe Danillo Vuçiq
Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e grupit terrorist në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi Afrim Bunjaku, është shfaqur në tubimin parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc.

Ekipi i N1 e filmoi atë para sallës “Jezero”, pranë Danillo Vuçiqit, djalit të Alleksandar Vuçiqit.

Në pamjet e publikuara nga N1, Radoiçiq shihet në shoqërinë e Danillo Vuçiqit para sallës ku u mbajt tubimi i SNS-së. N1 raportoi më herët se Danillo Vuçiqi kishte ardhur në tubim i shoqëruar nga disa automjete me drita sinjalizuese të ndezura.

Radoiçiqi është në kërkim nga Interpoli për shkak të sulmit terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023. Interpoli lëshoi urdhërarrest për të dhe 11 persona të tjerë në dhjetor të po atij viti.

Në këtë sulm terrorist u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjeve me policinë u vranë edhe tre terroristë serbë nga grupi i udhëhequr nga Radoiçiqi.

Disa ditë pas ngjarjeve në Banjskë, Radoiçiqi mori përgjegjësinë, përmes avokatit të tij, për organizimin e grupit që mori pjesë në sulm.

Në gusht të vitit 2026, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tij për krime lufte kundër popullsisë civile në Gjakovë gjatë viteve 1998 dhe 1999. Lënda përfshin 20 persona dhe vrasjen e më shumë se 100 civilëve.

Autoritetet e Kosovës e kishin kërkuar më herët edhe nën dyshimet për frikësimin e dëshmitarëve në rastin “Brezovica”, ndërsa hetimi për rolin e tij në vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës në vitin 2022 u ndërpre në qershor të vitit 2026, pasi ai nuk ishte i qasshëm për prokurorinë. /Klankosova.tv

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume