Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, është ndaluar për 48 orë.
Gazeta Nacionale ka mësuar se vendimi për ndalimin e Gecit është marrë nga prokurori i rastit pas intervistimit në lidhje me kanosjen ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Ish-deputeti i LDK-së fillimisht ishte shoqëruar në policia, pasi që ai mbrëmë i kishte shkuar te Televizioni Dukagjini gazetarit Mehmetaj, i cili po e zhvillonte një debat me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda.
Autori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Pandru, në fund të emisionit, i kishte treguar gazetarit Mehmetaj se dikush nga familja Geci ka ardhur të televizioni dhe po e presin jashtë, ndërsa në oborr ishte edhe Policia e Kosovës.
Më pas, Mehmetaj ka treguar se një ditë më parë është kërcënuar nga familja Geci.
Kjo kishte ndodhur pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Duke treguar detaje rreth kësaj çështje, Mehmetaj ka thënë se është kontaktuar nga anëtarë të familjes Geci, të cilët, sipas tij, i kërkuan ta hiqte shkrimin.
“Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo”, ka deklaruar Mehmetaj.
Ai tha se pas një takimi në zyrën e tij, kërkesa për heqjen e postimit ishte përsëritur.
Sipas tij, iu kërkua edhe ndryshimi i përmbajtjes, por ai refuzoi.
Mehmetaj deklaroi se gjatë takimit kishte pasur kërcënime, të cilat më pas i raportoi te organet e rendit.
Reklamë
“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin”, ka deklaruar ai, duke theksuar se kishte zgjedhur rrugën institucionale për ta trajtuar çështjen.
„Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo“
Lirim Mehmetaj
Polemika në distancë
Gazetari Lirim Mehmetaj dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, edhe gjatë ditës së djeshme kanë polemizuar në distancë.
Derisa Geci ka pretenduar se janë patuar, një gjë të tillë e ka mohuar gazetarit Mehmetaj.
Në profilin e tij Facebook, ish-deputeti i LDK-së, ka treguar se me ndërmjetësimin e deputetëve të LDK-së, Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj, janë pajtuar që të mos merren më me njeri tjetrin në publik.
“Me ndërmjetësimin e Anton Qunit dhe Fadil Hadergjonajt, në restorantin Garden takohen Ismet Mehmetaj, babai i Lirim Mehmetajt, vëllai i Lirimit, Rinori, dhe Gani Geci. Familjet pajtohen dhe zotohen që as Lirim Mehmetaj, as anëtarët e familjes Geci të mos merren me njëri-tjetrin, as përmes shkrimeve dhe as në televizione”, ka shkruar Geci.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i gazetarit Lirim Mehmetaj, i cili ka lënë të kuptohet se Gani Geci i ka kërkuar që ta heq statusin e tij të djeshëm për nipin e tij.
Në profilin e tij në Facebook, Mehmetaj ka bërë me dije nuk e largon asnjë shkronjë nga postimin e tij.
“Ky është postimi im i djeshëm për Fatos Gecin. Ky postim vazhdon të mbetet i njëjtë siç është publikuar dje, sepse ky postim është i vërtetë. Këtij postimi e asnjë postimi tim tjetër nuk do t’i hiqet kurrë asnjë shkronjë. Unë do të vazhdoj merrem me secilin analfabet që provon të gënjejë e mashtrojë publikisht, siç jam marrë deri më sot. Veçanërisht me analfabetët e pushtetit”, ka shkruar Mehmetaj.