Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla këtë të martë ka dalë në një deklaratë për mediat ku i bëri thirrje Partisë Demokratike që të votojë ngritjen Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. Ai u shpreh se nuk e ka kuptuar qëndrimin e PD-së dhe se pret që ata të reflektojnë.

“Te Konferenca e Kryetarëve kanë qenë përfaqësuesit e PS-së, ishte Tedi Blushi aty nga opozita. Nuk e kuptova qëndrimin e PD-së. Shpresoj që të ketë reflektim. Përfaqësuesit e PD-së u larguan pa kuptuar atë që donim të thoshim ne. Edhe Partia Demokratike, sot që flasim ka propozuar një ndarje me 100 bashki, ndërsa Territorialja është votuar në parlament. Thelbi i diskutimit ka qenë se çfarë kompetencash do i transferojmë pushtetit lokal.

Nëse e kanë me merak këtë problem, të vijnë në Komision. Hajde të diskutojmë edhe për fondet që do ndahen për bashkitë. Hajde të flasim për rajonet. Unë jam i bindur se Territorialja është në përputhje me Kushtetutën. PD çdo çështje e çon në Kushtetuese”, u shpreh Balla.

Balla gjatë fjalës së tij shtoi se presidenti Bajram Begaj do të dekretojë datën e zgjedhjeve të ardhme vendore javën e ardhshme. Balla ka bërë me dije se data do të caktohet mes 15 prillit dhe 15 majit teksa theksoi se propozojnë edhe ndryshimin e deputetëve në 101 nga 140 që janë.

“Ne kemi ardhur në fillim të këtij viti me propozimin e ndryshimeve kushtetuese, për të shkuar nga 140 anëtarë të Kuvendit në 101. Nëse PD-ja është e gatshme, e ftoj që të përcaktojmë ndryshimet kushtetuese. Nëse PD-ja do që të bëjë ndryshime kushtetuese për rajonet, jemi të hapur për diskutime”, tha Balla ndër të tjera.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume