Shkup, 13 tetor – Përforcimi i kapaciteteve të Qendrës hetuese në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, veprimi proaktiv sipas lëndëve të lidhura me të ashtuquajturat “listat e zeza” të partnerëve ndërkombëtarë dhe intensifikimi i luftës kundër larjes së parave janë mes prioriteteve kryesore që i ka potencuar Faton Azizi, kandidat për prokuror themelor publik të PTHP NKOK në seancën e sotme të Këshillit të prokurorëve publikë, ku e prezantoi programin e tij.
Duke prezantuar vizionin e tij, Azizi tha se fokusi i parë do të jetë avancimi i kapaciteteve hetimore në prokurori. “Programi im do të jetë udhëzues për të imponuar parimin e prokurorit me ekip, prokuror që do të ketë hetues nga fusha ekonomike, hetues që do të ndihmojë në nxjerrjen e materialeve, fokusi im në përgjithësi do të jetë që qendra hetimore të jetë forca kryesore lëvizëse dhe që këta hetues të punësohen në prokurorinë publike”, theksoi Azizi. Si prioritet të dytë, ai e përmendi përfshirjen proaktive në rastet që shpallen si “lista të zeza” nga partnerët ndërkombëtarë, duke vlerësuar se institucionet duhet t’i qasen këtyre rasteve më seriozisht. Ai paralajmëroi edhe aktivitete të intensifikuara në fushën e krimit financiar, duke treguar se theks i veçantë do t’i kushtohet larjes së parave dhe hetimeve financiare. “Prioritet do të jetë rritja e luftës kundër larjes së parave në ndërtimtari, kriptovaluta dhe forma të tjera”, theksoi Azizi.
Në prezantimin e tij, ai u përqendrua edhe në përvojën e tij të mëparshme në Prokurorinë publike të Republikës së Maqedonisë, ku punon në Repartin për ndjekjen e korrupsionit të lartë dhe vepron në disa raste të mëdha me një numër të madh të të akuzuarve. Sipas tij, puna në raste të tilla i ka dhënë përvojë në koordinim me hetuesit dhe përfaqësuesit e disa institucioneve, përfshirë MPB-në, Zbulimin financiar dhe Drejtorinë doganore. Azizi potencoi se ka vizituar disa kurse trajnimi vendase dhe ndërkombëtare në lidhje me konfiskimin e pasurisë, larjen e parave, provat elektronike dhe përdorimin e mjeteve elektronike në prokurori, duke vlerësuar se përvoja e fituar dhe komunikimi i mëparshëm me punonjësit dhe hetuesit paraqesin bazë për menaxhim të suksesshëm të burimeve në institucion.