Houthët kanë si objektiv dëmtimin e infrastrukturës energjetike të Arabisë Saudite, duke penguar eksportin e naftës dhe hyrjen e të ardhurave nga shitja e saj.

Sulmet e fundit duket se kanë ndikuar edhe në pjesëmarrjen e drejtuesve të kompanive të mëdha ndërkombëtare në Kongresin e 25-të Botëror të Naftës.

Mes kompanive që nuk do të përfaqësohen nga drejtuesit e tyre janë edhe gjigantët e sektorit, Shell dhe ExxonMobil. Edhe përfaqësuesit e kompanisë BP kanë shpjeguar arsyet e mungesës, duke deklaruar se dëshironin të merrnin pjesë në aktivitet, por nuk mundën për shkak të ndërprerjeve të trafikut ajror.

Këto ndërprerje lidhen me dy sulme të kryera nga rebelët shiitë Houthi gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës, që kishin në shënjestër aeroportin e Riadit, kryeqytetit të Arabisë Saudite.

Sipas raportimeve, aeroporti pritet të mbetet i mbyllur edhe për pesë ditë të tjera.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ndërprerjet e fluturimeve të rregullta ishin arsyeja e vetme e mungesës së drejtuesve të kompanive, pasi ata mund të udhëtonin edhe me avionë privatë. Dyshimet janë se shqetësimet për sigurinë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin e tyre.

Për momentin, kjo situatë duket se i jep një avantazh Houthëve, të cilët kontrollojnë pjesën veriperëndimore të Jemenit dhe kryeqytetin Sana’a.

Sulmet e tyre po shtojnë presionin ndaj Arabisë Saudite, veçanërisht në një sektor jetik për ekonominë e vendit, atë të naftës dhe energjisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume