Maqedonia pret që Bullgaria, si vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, t’i dorëzojë personat e kërkuar me urdhërarrest për t’u përballur me drejtësinë, deklaroi sonte zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski në lidhje me rastin e Iva Mihajllova, për të cilën sot u lëshua një urdhërarrest ndërkombëtar, pasi ajo këto ditë iku në Bullgari.
Në emisionin “Kolegium” në televizionin Alfa, Nikollovski theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme kishte komunikim të saktë në lidhje me rastin, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një arratisje klasike nga drejtësia pas lëshimit të urdhërarrestit ndërkombëtar.
“Mendoj se Ministria e Punëve të Jashtme pati një komunikim mjaft të saktë në lidhje me këtë pjesë. Thanë se ajo praktikisht iku nga Maqedonia, ndërsa sot është lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar. Ishin mjaft të qartë se kjo është një arratisje klasike nga drejtësia. Presim që Bullgaria, si vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe si një demokraci e zhvilluar që respekton sundimin e ligjit, t’i dorëzojë personat e kërkuar me urdhërarrest për t’u përballur me drejtësinë”, tha Nikolloski.
Lidhur me reagimet në Bullgari dhe paralajmërimet për takime të nivelit të lartë, Nikolloski theksoi se shteti nuk duhet t’i nënshtrohet provokimeve dhe kujtoi rrugët institucionale për mbrojtjen e të drejtave.
“Siç thashë, MPJ e ka shprehur tashmë qëndrimin e saj dhe nuk kam asgjë tjetër për të shtuar. Kjo nuk është hera e parë, ka pasur raste të tilla edhe në të kaluarën. Mendoj se duhet të jemi të zgjuar dhe të mos biem pre e provokimeve. Në Evropë, ka institucione që thonë nëse janë shkelur apo jo të drejtat e njeriut. Së pari, ka institucione vendase: Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi, gjykatat dhe organe të tjera. Nëse nuk u besojnë, atyre, këtu është Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Për sa di unë, ai person as nuk ka paraqitur një kërkesë atje, e lëre më që gjykata të ketë marrë një vendim. Nëse merr një vendim nga një institucion përkatës evropian si Strasburgu, do ta respektojmë atë. Por, bazuar në asnjë provë dhe fakt, është e qartë se po kryhet vetëm abuzim politik”, tha zëvendëskryeministri.