City përfshihet edhe në një thyerje të re të rregullave të Premierligës, pas fitores ndaj Liverpoolit
Manchester City ka shkelur një rregull të Premierligës, pasi nuk e lejoi Enzo Marescan të fliste me radiostacionet menjëherë pas fitores 3-0 ndaj Liverpoolit në “Anfield”.
Në ndeshjen e parë që nga shpallja fajtor për të gjitha shkeljet e rregullave financiare nga një komision i pavarur, Manchester City e la pas gjithë zhurmën rreth klubit, duke siguruar një fitore bindëse me tri gola ndaj Liverpoolit.
Erling Haaland zhbllokoi rezultatin pak minuta pasi Ryan Gravenberch u ndëshkua në mënyrë të diskutueshme me karton të kuq. Më pas, dy gola të shkëlqyer nga Jeremy Doku dhe Rayan Cherki garantuan vazhdimin e serisë së përsosur të Cityt.
Manchester City rikthehet në aksion në Ligën e Kampionëve me një përballje të jashtëzakonshme kundër Paris Saint-Germainit të mërkurën, më 14 tetor.
Megjithatë, para kësaj ndeshjeje, u bë e ditur se klubi dyshohet se ka shkelur rregullin K.207 të rregullores së Premierligës, duke mos e lejuar Marescan të fliste për radiostacionet “talkSPORT” dhe “BBC Radio 5 Live”.
Ky rregull përcakton: “Çdo klub që merr pjesë në një ndeshje të ligës duhet të sigurojë që çdo transmetues radiofonik, i cili ka të drejtën e transmetimit të asaj ndeshjeje, të lejohet të intervistojë pas përfundimit të saj: (a) të paktën një lojtar që ka pasur rol të rëndësishëm në ndeshje dhe (b) trajnerin”.
Manchester City nuk e shpjegoi këtë vendim, por trajneri italian foli për transmetuesin televiziv “Sky Sports”, si dhe për pjesën tjetër të mediave gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes.
Intervista e Marescas, siç pritej, u përqendrua te hetimi në vazhdim, pasi Manchester City paraqiti ankesën kundër vendimit që e shpalli fajtor më 1 tetor.
Ankesa e klubit do të shqyrtohet nga një panel i ri prej tre personash, ndërsa procesi pesëditor pritet të përfundojë deri në mesin e dhjetorit.
“E kam thënë shumë herë se jam plotësisht i qetë dhe i relaksuar. Ju premtoj se shqetësohem shumë për planin e lojës dhe mënyrën se si stërvitemi”, deklaroi trajneri i Cityt për “Sky Sports” pas ndeshjes.
“Nuk shqetësohem për gjërat që nuk i kam nën kontroll. Mesazhi im për lojtarët do të jetë i njëjtë. Siç kam thënë, e dimë sa serioze është situata. Nuk është diçka për të cilën mund të bëjmë diçka. Aty ku mund të ndikojmë është brenda fushës. Zhurma rreth ekipit është shumë e madhe, por duhet të përpiqemi ta përballojmë dhe të krijojmë zhurmën tonë duke fituar ndeshje”, shtoi ai.
Manchester City ka shkelur rregulla të rëndësishme financiare, duke organizuar kontrata të pretenduara si fiktive dhe duke ulur shpenzimet me rreth 900 milionë paund gjatë nëntë viteve, nga viti 2009 deri në vitin 2018, periudhë gjatë së cilës fitoi tre tituj të Premierligës.
Pezullimi nga pjesëmarrja në kampionat, zbritja e pikëve, përsëritja e ndeshjeve, përjashtimi nga liga, detyrimi për të paguar kompensim për klubet e tjera, rënia automatike nga kategoria dhe madje edhe heqja e titujve janë ndër masat ndëshkuese që mund të shqyrtohen.
Manchester City ka vazhduar të këmbëngulë në pafajësinë e tij gjatë gjithë procesit, duke pretenduar se posedon një sasi provash “të pakundërshtueshme”.
I pyetur për reagimin e skuadrës pas vendimit që e shpalli klubin fajtor, Ruben Dias tha: “Kur lajmi u bë publik, natyrisht që ndjemë se duhej të bisedonim sapo të ktheheshim. E bëmë këtë për t’u siguruar që të gjithë të ishim në një mendje dhe të kishim qartësi e qetësi mendore, pastaj vazhduam përpara. Natyrisht, kjo ndodhi në një moment kur nuk ishim të gjithë së bashku, por shumë shpejt kontaktuam njëri-tjetrin dhe po aq shpejt gjetëm qetësinë dhe vazhduam përpara”.