Kallëzim penal ndaj një polici për falsifikim dokumentesh, dyshohet se përdori vërtetime të rreme për dhurim gjaku
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale ka paraqitur kallëzim penal ndaj zyrtarit policor A.A., për shkak të dyshimeve të bazuara se ka kryer veprën penale “Falsifikim dokumentesh”, sipas nenit 378 të Kodit Penal informon Tetovasot.
Sipas MPB-së, i dyshuari është i punësuar në Departamentin për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara. Edhe pse më 3 mars 2026 dhe 9 korrik 2026 nuk kishte dhuruar gjak në Institutin e Mjekësisë Transfuzionale pranë Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, ai dyshohet se ka përpiluar dhe përdorur dy vërtetime të rreme për dhurim gjaku.
Me këto dokumente, sipas njoftimit të MPB-së, ai ka paraqitur dy kërkesa për shfrytëzimin e pushimit të paguar prej tre ditësh pune, për datat 3, 4 dhe 5 mars, si dhe 9, 10 dhe 13 korrik 2026, të cilat më pas i ka shfrytëzuar.
MPB bën të ditur se kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Departamenti i Specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve.
Përveç kallëzimit penal, Departamenti për Kontroll të Brendshëm do të iniciojë edhe procedurë disiplinore ndaj policit A.A. për shkak të shkeljes së rendit dhe disiplinës në punë.TS