Protestat në Tiranë, reagon ish-ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut: Dhuna dhe qasja e Policisë po e rëndojnë situatën
Ish-ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Krenar Lloga, ka reaguar për situatën e krijuar në Shqipëri pas protestave të ditëve të fundit, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e dhunës dhe mënyrën e ndërhyrjes së Policisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Lloga i cilëson skenat e shfaqura në Shqipëri si shqetësuese dhe të papranueshme, duke kritikuar atë që e përshkruan si qasje joprofesionale të forcave të rendit.
Ai ngre pretendime për përdorim të tepruar të forcës ndaj personave të rrëzuar në tokë gjatë arrestimeve dhe vë në pikëpyetje respektimin e standardeve ndërkombëtare nga njësitë policore.
“Skenat që po shfaqen në Shqipëri janë shqetësuese dhe të papranueshme: niveli i dhunës nga njëra anë dhe qasja diletante e policisë vetëm se e rëndojnë situatën, duke e çuar atë në një drejtim pa kthim. Nuk mund ta besoj dhe as ta kuptoj që njësitë policore janë jashtë standardeve normale ndërkombëtare – njësi që shpërndahen në individë pa plane veprimi, që abuzojnë me shkopinjtë e gomës dhe me grushte ndaj njerëzve që tashmë i kanë rrëzuar për toke për t’i arrestuar.
Po ashtu, Shqipëria evropiane nuk mund të ngrihet mbi aktet e dhunës, zjarrvëniet dhe dëmtimin e pronës private e publike”, shkruan Lloga.