Drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita tha se janë identifikuar dhe arrestuar disa prej protestuesve që kanë dëmtuar dhe grabitur bankat e nivelit të dytë në Tiranë.

Ai tha se, nëse situata vijon kështu, do të tregojnë forcën e ligjit.

“Vjedhja e bankave dhe institucioneve financiare, ne kemi arrestuar disa prej tyre. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë. Edhe sot është dëmtuar një institucion financiar. Policia ndërhyri dhe arriti të identifikojë disa prej tyre. Nëse vazhdon kështu, jemi të detyruar të tregojmë forcën e ligjit”, tha Hita.

Deklarata e plotë:

Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe shkatërrimesh ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Në këto ngjarje deri në këto momente gjatë përmbushjes së detyrës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.

Dua të jem shumë i qartë: Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht. Por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private.

Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie politike. Ajo është institucion i Republikës, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Misioni ynë është të mbrojmë jetën, pronën, institucionet dhe rendin publik, pa dallim.

U bëj thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuar.

Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dhe të kundërshtojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet, për të djegur dhe shkatërruar pronën e qytetarëve.

Siguria dhe e ardhmja e tyre janë përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe e shtetit.

Pas maskave qe udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studente, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit.

Fakti eshte se nga te gjithe te ndaluarit natën e parë të protestës së dhunshme asnjë nga personat nuk rezultoi student. Ndërsa nga të ndaluarit e natës së dytë pas djegies e plaçkitjes masive, një numër shumë i vogël ishin studentë.

Të dashur punonjës të Punonjës të Policisë së Shtetit, sot dua t’u jap një garanci të qartë:

Në këtë përballje me dhunën, keni mbështetjen time të plotë si Drejtor i Përgjithshëm dhe mbështetjen institucionale të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare për çdo veprim të ligjshëm në përmbushje të detyrës.

Çdo sulm ndaj uniformës blu është sulm ndaj autoritetit të ligjit dhe shtetit. Kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin.

Çdo orë shtesë shërbimi do tju njihet dhe do kompensohet sipas ligjit. Sakrifica juaj meriton respektin dhe mbështetjen e plotë të institucioneve.

Ju kërkoj profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri. Mos u provokoni, por mos u tërhiqni nga përmbushja e detyrës! Forca jonë është ligji dhe autoriteti ynë buron prej tij.

Ndërkohë u bëj thirrje pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit.

Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve, pronës publike dhe private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin.

Dhe për këdo që mendon se mund të imponojnë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i prerë:

Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë!

Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet do të mbrohen. Qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me vendosmëri dhe pa asnjë përjashtim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume