Benjamin Netanyahu deklaron se Izraeli nuk do të lejojë krijimin e një shteti palestinez. Kryeministri izraelit e cilëson situatën në Bregun Perëndimor si një “mrekulli” dhe akuzon opozitën se, nëse vjen në pushtet, do të lejojë krijimin e shtetit palestinez. Në të njëjtën kohë, ish-kreu i Shin Bet e ka paditur Netanyahun për shpifje.

Benjamin Netanyahu e bën të qartë qëndrimin e tij: Izraeli nuk do të lejojë krijimin e një shteti palestinez.

Kryeministri izraelit ka deklaruar se territori që, sipas tij, duhej të shndërrohej në një shtet palestinez, nuk do ta marrë këtë status.

“Ne nuk do ta lejojmë”, është qëndrimi i prerë i Netanyahut, i cili e cilësoi situatën e krijuar në Bregun Perëndimor si një “mrekulli”.

Sipas tij, ndryshimi i qeverisë do të sillte një politikë krejt tjetër. Netanyahu paralajmëroi se nëse opozita izraelite vjen në pushtet, ajo do të lejojë krijimin e një shteti palestinez, si edhe tërheqjen e Izraelit nga Libani dhe Rripi i Gazës.

Kryeministri izraelit sulmoi gjithashtu opozitën për qëndrimin ndaj Iranit, duke deklaruar se ajo nuk do të ndërmarrë veprime kundër Teheranit.

Deklaratat vijnë ndërsa statusi i Bregut Perëndimor dhe e ardhmja e Rripit të Gazës mbeten ndër çështjet më të debatueshme në konfliktin izraelito-palestinez.

Por ndërsa Netanyahu mbron politikën e tij për territorin palestinez, ai përballet edhe me një tjetër betejë.

Ish-drejtori i Shin Bet, Ronen Bar, e ka paditur kryeministrin për shpifje, duke e akuzuar se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për dështimet e sigurisë përpara sulmit të Hamasit më 7 Tetor 2023.

Bar pretendon se kishte paralajmëruar zyrtarët e kryeministrit për rrezikun e një sulmi, ndërsa Netanyahu mohon se ishte njoftuar në kohë.

Përplasja mes tyre pritet të shtojë presionin politik ndaj Netanyahut, ndërsa debati për përgjegjësinë e autoriteteve izraelite për 7 Tetorin vijon të jetë i hapur.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume