Adri Nurellari
Ka një ironi të veçantë historike në marrëdhënien e Edi Ramës me rininë shqiptare. Politikani që sot përballet me protestat studentore e nisi karrierën publike si pedagog antikonformist i Akademisë së Arteve, i lidhur me lëvizjen demokratike, kundërshtimin e autoritarizmit dhe përpjekjen për emancipimin e një brezi që kërkonte të çlirohej nga regjimi komunist. Përpara se të bëhej ministër, kryetar bashkie apo kryeministër, Rama ishte shpresa për rininë e kohës, si një nga zërat që sfidonin dogmat, hierarkitë dhe mendësinë e pushtetit.
Në vitin 1991, së bashku me Ardian Klosin, botoi librin “Refleksione”, një përmbledhje shkrimesh dhe ndërhyrjesh publike të lindura nga përvoja e ndryshimeve demokratike. Libri shprehte shqetësimin se rrëzimi i sistemit komunist nuk garantonte automatikisht çlirimin nga mendësitë autoritare dhe se pluralizmi mund të shndërrohej në një garë të re për kontrollin e pushtetit. Një nga paralelet më domethënëse me krizën e sotme gjendet pikërisht kur ai kujton se si Ramiz Alia, duke dalë në televizion dhe duke i dënuar protestuesit si huliganë dhe vandalë, preu përfundimisht nyjën gordiane të përplasjes mes studentëve dhe pushtetit. Te kapitulli “Në ditët kur lindi partia” Rama shkruante: “Konfrontimi me policinë e bënte të pamundur këtej e tutje harresën që mund t’i kthente gjërat në statu quo-në gjysmëshekullore. Ata guxuan dhe panë që në krahun tjetër nuk kishte Perëndi të paprekshme, por njerëz pa ideale. Frika u vra dhe lufta filloi.”
Ky përshkrim ka një rëndësi të veçantë për të kuptuar dinamikën e protestave të sotme. Natyrisht, Shqipëria e vitit 2026 nuk është diktatura e vitit 1990 dhe krahasimi nuk mund të bëhet në nivelin e regjimeve. Por mekanizmi psikologjik që përshkruante Rama mbetet domethënës. Përplasja me policinë mund të ndryshojë rrënjësisht marrëdhënien e protestuesve me autoritetin, duke shndërruar frikën në zemërim dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë rikthimin në gjendjen e mëparshme. Pikërisht këtu qëndron paradoksi historik, sepse politikani që dikur e kuptonte se përdorimi i forcës mund të shkatërronte frikën dhe të përshpejtonte revoltën, sot drejton një qeveri që përballet me të njëjtën dilemë të menaxhimit të pakënaqësisë rinore.
Prandaj , protestat e ditëve të fundit duhen kuptuar në kontekstin e një krize më të gjerë besimi dhe përfaqësimi, ku pakënaqësitë e akumuluara, skandalet e korrupsionit dhe kriminalizimit, shqetësimet për perspektivën ekonomike dhe zhgënjimi ndaj institucioneve kanë krijuar një distancë mes pushtetit dhe një pjese të brezit të ri. Përplasjet me policinë dhe incidentet e dhunshme kanë tërhequr vëmendjen publike, duke rrezikuar që debati të përqendrohet te menaxhimi i rendit dhe të lërë në plan të dytë shkaqet politike të protestës.
Në reagimin ndaj protestave, Rama duket se po përpiqet ta zhvendosë betejën politike nga Tirana në Bruksel. Nuk është pa domethënie që për daljen publike zgjodhi si sfond zyrën e shkatërruar të Kolegjit të Europës. Simbolika ishte e fortë dhe audienca e synuar dukej qartësisht europiane. Pas kritikave ndërkombëtare, pamjet e shkatërrimit të një institucioni që përfaqëson integrimin europian i jepnin mundësinë të ringjallte formulën e vjetër të stabilokracisë, sipas së cilës Europa duhet të zgjedhë mes një pushteti që premton stabilitet dhe një alternative që paraqitet si kaos. Në të njëjtën kohë, Rama përpiqet ta ndajë protestën mes flamingove paqësore legjitim dhe protestuesve të dhunshëm të dirigjuar, ndërsa duke implikuar opozitën në incidente kërkon ta zhvendosë vëmendjen nga përgjegjësia e qeverisë te fajësimi i kundërshtarëve.
Kuptohet që incidentet e dhunshme dhe dëmtimi i pronës private duhen dënuar dhe përgjegjësit duhet të japin llogari individuale, por ato nuk mund të përdoren për të delegjitimuar gjithë pakënaqësinë qytetare.. Të merresh vetëm me incidentet dhe të shpërfillësh shkaqet e revoltës do të thotë të luftosh simptomat, duke lënë të paprekur problemin politik që i ka nxjerrë qytetarët në rrugë. Paradoksi është se Rama kërkon t’i bindë europianët se ai është garancia kundër destabilizimit, ndërkohë që protestuesit po i kërkojnë llogari pikërisht për mënyrën e tij të qeverisjes. Aq më tepër kur protesta ka hyrë në ditën e tretë dhe është përhapur përtej Tiranës, duke vënë në pikëpyetje edhe vetë premtimin e stabilitetit mbi të cilin mbështetet kjo narrativë.
Ky mekanizëm që kryeministri ka zgjedhur, njihet në shkencat politike si sekuritizim i krizës, pra shndërrimi i një problemi politik në kërcënim për rendin dhe sigurinë publike. Në vend që të diskutohen përgjegjësitë e qeverisë, vëmendja përqendrohet te vandalizmi, arrestimet dhe ndërhyrjet policore. Në këtë mënyrë, qeveria mund të përpiqet të fitojë mbështetje për masa shtrënguese duke e paraqitur veten si garantuese të rendit përballë kaosit.
Problemi rëndohet edhe më shumë kur ndërhyrja policore perceptohet si disproporcionale, shoqërohet me përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve dhe merr karakter ndëshkues. Në vend që të parandalojë incidentet, të shtensionojë situatën dhe të garantojë sigurinë e të gjithëve, policia rrezikon të sillet si palë në konflikt, duke i trajtuar protestuesit si kundërshtarë dhe jo si qytetarë me të drejta kushtetuese. Një sjellje e tillë ngre pikëpyetje serioze për profesionalizmin, paanshmërinë dhe pavarësinë e saj nga pushteti politik. Detyra e policisë nuk është të fitojë përplasjen me protestuesit, por të mbrojë sigurinë e tyre, të punonjësve të saj dhe të gjithë qytetarëve. Suksesi i një operacioni policor në një vend normal evropian nuk matet me numrin e protestuesve të shpërndarë apo të arrestuar, por me dhunën e parandaluar, tensionet e ulura dhe jetët e mbrojtura.
Përplasjet mes studentëve dhe policisë nxjerrin në pah dallimin që filozofja politike Hannah Arendt bën në veprën “Mbi dhunën” mes pushtetit politik dhe dhunës. Sipas saj, pushteti buron nga aftësia e njerëzve për të vepruar së bashku dhe nga mbështetja kolektive që i jep autoritet institucioneve. Dhuna, përkundrazi, është një mjet shtrëngimi që mund të imponojë bindjen, por nuk mund të krijojë legjitimitet politik. Madje, përdorimi gjithnjë e më i madh i forcës mund të tregojë se pushteti po humbet mbështetjen mbi të cilën mbështetet. Një qeveri mund të përdorë policinë, gazin lotsjellës dhe arrestimet për të rivendosur rendin publik, por këto mjete nuk mund të zgjidhin pakënaqësitë që i kanë nxjerrë qytetarët në protestë.
Përdorimi i forcës mund ta dekurajojë pjesëmarrjen përmes frikës, por në rrethana të tjera mund të krijojë solidaritet të ri dhe të shtojë zemërimin duke shkaktuar atë që në studimet mbi lëvizjet shoqërore quhet efekti i kundërt i represionit. Ky fenomen ndodh kur ndërhyrjet policore, në vend që ta shuajnë revoltën, e përshkallëzojnë atë, sepse dhuna e perceptuar si e padrejtë ndaj të rinjve mund të revoltojë prindërit, pedagogët dhe qytetarë që deri atëherë kanë qëndruar indiferentë. Pakënaqësia mund të përhapet përtej universiteteve e shkollave të mesme, ndërsa vetë sjellja e policisë mund të shndërrohet në një arsye të re proteste.
Përdorimi i forcës ndaj protestuesve mund të vërë në lëvizje një zinxhir reagimesh që e zgjeron revoltën përtej pjesëmarrësve fillestarë. Fillimisht, përplasjet me policinë mund të radikalizojnë një pjesë të të rinjve, duke shtuar zemërimin, ndjenjën e përkatësisë dhe solidaritetin brenda grupit. Kur një student ose gjimnazist goditet ose arrestohet në rrethana që perceptohen si të padrejta, bashkëmoshatarët mund ta përjetojnë atë si një padrejtësi ndaj të gjithëve, edhe nëse nuk e njohin personalisht. Një reagim i ngjashëm solidariteti u pa pas vrasjes së Klodian Rashës nga policia në dhjetor 2020, kur shumë të rinj protestuan për një bashkëmoshatar që nuk e kishin njohur.
Në një fazë të dytë, zemërimi përhapet përmes lidhjeve familjare dhe shoqërore. Prindërit, të afërmit dhe miqtë, që deri atëherë mund të kenë qenë indiferentë apo edhe kundër protestës së flamingove, fillojnë ta shohin ndryshe konfliktin kur në të përfshihen njerëzit e tyre. Ajo që më parë ishte një debat politik në televizor kthehet në shqetësim personal dhe kërkesë për përgjegjësi institucionale. Nëse ky reagim përsëritet në shumë familje dhe komunitete, protesta mund të tërheqë grupe të reja shoqërore dhe të marrë përmasa më të gjera. Kështu, forca që synon të frikësojë protestuesit mund të prodhojë efektin e kundërt, duke e shndërruar zemërimin e një grupi të rinjsh në solidaritet të një brezi dhe më pas në revoltë të familjeve të tyre.
Teoria e pragjeve të pjesëmarrjes, e sociologut Mark Granovetter, ndihmon për të kuptuar se si protestat e sotme mund të marrin përmasa gjithnjë e më të gjera. Jo të gjithë qytetarët janë të gatshëm të protestojnë që në fillim. Disa dalin të parët, ndërsa të tjerë presin të shohin nëse do t’u bashkohen miqtë, kolegët apo familjarët. Sa më shumë njerëz përfshihen, aq më shumë zvogëlohet frika e izolimit dhe rritet gatishmëria e të tjerëve për të dalë në rrugë. Përplasjet me policinë mund ta përshpejtojnë këtë proces, duke mobilizuar jo vetëm të rinjtë që ndajnë të njëjtat pakënaqësi, por edhe prindër, pedagogë e qytetarë që deri dje qëndronin indiferentë. Rreziku politik për qeverinë është që çdo valë e re protestuesish t’i japë kurajë një vale tjetër, duke e shndërruar një revoltë studentore në një mobilizim shumë më të gjerë shoqëror.
Në një demokraci, qeveria ka përgjegjësinë kryesore për zgjidhjen politike të krizave që lindin gjatë mandatit të saj. Kjo kërkon dëgjimin e qytetarëve, pranimin e gabimeve, korrigjimin e politikave dhe, kur kriza e besimit thellohet, gatishmërinë për të marrë përgjegjësi deri në dorëheqje. Përgjegjësia politike është më e gjerë se ajo penale. Një kryeministër nuk ka nevojë të dënohet nga gjykata që të mbajë përgjegjësi për dështimet e qeverisjes apo humbjen e besimit publik.
Përshkallëzimi i protestave kërkon njëkohësisht vetëpërmbajtje nga të gjitha palët, respektimin e së drejtës së tubimit, mbrojtjen e pronës private dhe hetimin e paanshëm të çdo incidenti, përfshirë përdorimin e mundshëm disproporcional të forcës nga policia. Por shtensionimi nuk mund të reduktohet në masa policore, arrestime apo thirrje për qetësi. Nëse dialogu dhe korrigjimi i politikave dështojnë, dorëheqja e kryeministrit apo zgjedhjet e parakohshme nuk përbëjnë tragjedi kombëtare, por mekanizma krejtësisht normalë kushtetues për të dalë nga kriza. Mandati katërvjeçar nuk është një kontratë me çek të bardhë që e garanton kryeministrin në pushtet deri në ditën e fundit pavarësisht se çfarë bën. Vetëm gjatë vitit 2026, në Letoni, Lituani, Britaninë e Madhe dhe Moldavi janë regjistruar ndryshime në drejtimin e qeverive përpara përfundimit të mandatit. Ndërkohë, Serbia ka shpallur zgjedhje të parakohshme për 25 tetor dhe Spanja për 29 nëntor, pa pritur përfundimin e legjislaturave. Rrethanat ndryshojnë, por mësimi institucional është i qartë. Stabiliteti i një demokracie provohet nga aftësia e saj për të ndryshuar qeverinë pa tronditur shtetin, jo nga aftësia e një kryeministri për ta paraqitur largimin e vet si katastrofë kombëtare.
Protestat e sotme e vendosin Edi Ramën përballë kontradiktës më të madhe të historisë së tij politike. Dikur, ai paralajmëronte se ndryshimi i regjimit nuk mjaftonte për të çrrënjosur mendësinë autoritare. Sot, pas më shumë se një dekade në krye të qeverisë, përballet me një brez që nuk e sheh më pushtetin si një institucion që e dëgjon, por si një autoritet që duhet sfiduar për t’u marrë seriozisht. Kjo është prova e vërtetë e trashëgimisë së tij politike; jo sa fort e mbronte të drejtën e protestës kur sfidonte pushtetin e të tjerëve, por sa është i gatshëm ta respektojë atë kur vihet në diskutim pushteti i vet.
Rrjedhimisht, “Refleksionet” e vitit 1991 tingëllojnë sot si një paralajmërim që autori ia kishte bërë, pa e ditur, vetes. Ndoshta ironia më e hidhur e kësaj historie është se njeriu që dikur sfidonte paprekshmërinë e pushtetit, sot rrezikon të mbahet mend për përpjekjen për ta bërë të paprekshëm pushtetin e vet. Pas më shumë se tri dekadash, mbase Edi Rama ka nevojë të rilexojë dhe reflektojë mbi “Refleksionet” e veta.