Sot, në Ministrinë e Shëndetësisë, u prezantuan protokollet për terapinë e dispenzuar për sklerozën multiple, në prani të drejtorëve të Klinikës Universitare të Neurologjisë, Spitalit Special për Ortopedi dhe Traumatologji „Shën Erazmo“ – Ohër, Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit „8 Shtatori“ – Shkup dhe Spitalit Klinik të Shtipit.
„Në Klinikën e Neurologjisë ndiqen rreth 2.000 pacientë me sklerozë multiple, nga të cilët rreth 1.800 janë në trajtim aktiv, ndërsa numri i rasteve të reja të diagnostikuara është në rritje – vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 115 raste të reja.
Aktualisht, 835 pacientë nga 48 komuna trajtohen me barna imunomoduluese të përfshira në procesin e dispenzimit dhe të gjithë e marrin ose e tërheqin terapinë në Klinikën në Shkup. Prej tyre, 491 jetojnë jashtë rajonit të Shkupit dhe shumë prej tyre udhëtojnë çdo muaj, shpesh të shoqëruar nga një person tjetër. Kjo nënkupton shpenzime, mungesë nga puna dhe ngarkesë shtesë për personat që vuajnë nga një sëmundje kronike.
Decentralizimi mundëson ofrimin e shërbimeve për më shumë pacientë, pa e kthyer Klinikën në një pikë pengese“, theksoi ministri Klekovski, duke shtuar se buxheti për barnat për sklerozën multiple këtë vit arrin shumën rekord prej 451 milionë denarësh.
„Ky është një model. Ai paraqet lehtësim për pacientët, të cilët do ta marrin terapinë më afër vendbanimit të tyre, por edhe një mundësi për avancimin e punës së profesionistëve shëndetësorë në spitalet rajonale, kompetencat e të cilëve zgjerohen. Natyrisht, ky është një model edhe për fusha të tjera, siç është onkologjia“, deklaroi ministri Klekovski.
Drejtori i Klinikës Universitare të Neurologjisë, Jovan Bozhinovski, theksoi se kjo nismë është përgjigje ndaj kërkesave shumëvjeçare të Shoqatës për Luftën Kundër Sklerozës Multiple.
„Rregullorja përcakton barnat, kompetencat, kushtet për qendrat dhe procedurën, ndërsa përmes protokollit secili spital merr përsipër veçmas detyrimet që i takojnë. Spitalet obligohen të caktojnë një neurolog përgjegjës, një farmacist dhe infermierë të trajnuar, t’i ruajnë dhe t’i lëshojnë barnat sipas regjimit të përcaktuar, të evidentojnë çdo dozë dhe të raportojnë reaksionet e padëshiruara brenda 24 orëve.
Klinika e ruan përgjegjësinë profesionale, financiare dhe organizative: ajo i furnizon barnat, përmes Komisionit për Terapinë Imunomoduluese merr vendime për secilin pacient, e faturon terapinë pranë Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe ushtron mbikëqyrje në qendra të paktën një herë në vit“, sqaroi drejtori Bozhinovski.
Decentralizimi përfshin dhjetë barna, të ndara në dy grupe. Në grupin e parë bëjnë pjesë barnat që pacienti i administron vetë – interferonet, glatiramer acetati dhe barnat orale (dimetil fumarati, teriflunomidi dhe kladribina). Këto barna tërhiqen çdo muaj nga farmacia spitalore e qendrës. Në grupin e dytë bëjnë pjesë barnat biologjike okrelizumab, natalizumab dhe ofatumumab, të gjitha në formë nënlëkurore, të cilat administrohen nga personeli mjekësor në qendër. Trajtimi fillon në Klinikë, ku pacienti merr dozën e parë, i nënshtrohet trajnimit dhe nënshkruan pëlqimin. Të gjitha dozat e mëvonshme i merr në qendrën rajonale. Kontrollet kryhen çdo gjashtë ose 12 muaj, përmes konsiliumit digjital.
Në fazën e parë, Spitali Klinik i Shtipit do të mbulojë rajonin lindor, juglindor dhe atë të Vardarit (rreth 128 pacientë); Spitali Special „Shën Erazmo“ do të mbulojë rajonin jugperëndimor dhe Manastirin (rreth 146 pacientë), ndërsa Spitali i Përgjithshëm i Qytetit „8 Shtatori“ do të marrë përsipër pacientët nga Shkupi (344 pacientë). Gjithsej, 618 pacientë (74%) do të mund ta marrin terapinë në një qendër rajonale, ndërsa, së bashku me pacientët nga komunat kufitare, të cilët do ta zgjedhin vetë qendrën, ky numër mund të arrijë deri në 692 pacientë (83%).Kalimi në sistemin e decentralizuar është vullnetar. Pacienti kalon në qendrën rajonale vetëm pasi të nënshkruajë pëlqimin me shkrim, ndërsa pacientët që nuk dëshirojnë të kalojnë vazhdojnë ta marrin terapinë në Klinikë, pa asnjë pasojë për të drejtën e tyre për trajtim.


