Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, organizoi një
aktivitet me rastin 16 Tetorit,  Ditës Botërore të Ushqimit, me moton “Inovacioni i sotëm, ushqimi i
së nesërmes”. Në këtë ngjarje morën pjesë drejtues të Universitetit, profesorë, studentë dhe nxënës
të shkollave të mesme, të cilët patën mundësinë të njihen me rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme
dhe rolin e shkencës në përmirësimin e cilësisë së ushqimit.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e
ndërgjegjësimit të shoqërisë për ushqyerjen e shëndetshme dhe ndikimin e saj në cilësinë e
jetës. “Sensibilizimi për këto çështje është jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrethanat në të cilat
jetojmë. Ushqimi që konsumojmë sot reflektohet në shëndetin tonë në të ardhmen, prandaj duhet të
jemi të vetëdijshëm për cilësinë e tij dhe mënyrën tonë të jetesës. Universiteti, përmes aktiviteteve
të këtilla, synon të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes dhe promovimin e një jete më të
shëndetshme.” – theksoi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Gafur Xhabiri, u
shpreh se shënimi i Ditës Botërore të Ushqimit ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së popullsisë për
rëndësinë e ushqimit, ndërsa për institucionet akademike kjo ditë është një mundësi për të dëshmuar
lidhjen ndërmjet shkencës dhe konsumatorëve. “Dita Botërore e Ushqimit synon të rrisë
ndërgjegjësimin për rëndësinë e ushqimit në mbarë botën. Motoja e këtij viti, “Inovacioni i sotëm,
ushqimi i së nesërmes”, ka rëndësi të veçantë për fakultetin tonë, pasi ndërlidh shkencën me nevojat
e konsumatorëve. Sot kemi ftuar edhe nxënës të shkollave të mesme, ndërsa studentët tanë kanë
përgatitur ushqime tradicionale, duke ndërthurur njohuritë akademike me vlerat e traditës sonë
ushqimore.” – u shpreh dekani Prof. Dr. Gafur Xhabiri.
Në kuadër të aktivitetit, studentët prezantuan ushqime tradicionale të përgatitura prej tyre, duke
promovuar trashëgiminë gastronomike dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave ushqimore.
Përmes këtij organizimi, Universiteti i Tetovës respektivisht Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore
dhe të Ushqyerit ritheksojnë përkushtimin ndaj edukimit, inovacionit dhe ndërgjegjësimit të brezave
të rinj për rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume