HOXHA: RREGULLIMI I SHTRATIT TË LUMIT TË THATË PO AVANCON ME DINAMIKË TË PËRSHPEJTUAR, PO ZGJIDHIM NJË PROBLEM SHUMËVJEÇAR TË SARAJIT
Shkup, 16.10.2026 Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot inspektoi punimet për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë në Komunën e Sarajit. Projekti përfshin rregullimin e rreth 12 kilometrave të shtratit të lumit, nga rruga për në Bojanë, përmes Gllumovës, deri te derdhja në lumin Treska.
Në më pak se tre muaj nga fillimi i punimeve, është realizuar 20% e projektit, për të cilin Ministria ka siguruar mbi 379 milionë denarë. Me realizimin e projektit do të zvogëlohet rreziku nga përmbytjet, do të mbrohen shtëpitë, pronat dhe tokat bujqësore, si dhe do të kontribuohet në krijimin e një mjedisi jetësor më të pastër dhe më të sigurt për banorët e kësaj zone.
„Ky projekt është i rëndësishëm sepse u përgjigjet nevojave shumëvjeçare të qytetarëve. Fakti që në më pak se tre muaj është realizuar 20% e projektit tregon se punimet po përparojnë. Sot jemi në terren për të ndjekur realizimin dhe për t’u siguruar se aktivitetet po zhvillohen sipas planifikimit. Përgjegjësia jonë nuk përfundon me sigurimin e mjeteve financiare dhe fillimin e punimeve. Ajo nënkupton ndjekjen e përgjegjshme të çdo faze, deri në përfundimin e projektit“, theksoi ministri Hoxha.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal është i rëndësishëm për realizimin në kohë të projekteve infrastrukturore që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Rregullimi i shtratit të Lumit të Thatë është pjesë e investimeve më të gjera në mjedisin jetësor dhe infrastrukturën komunale, të cilat përbëjnë themelet e kthesës së gjelbër dhe krijojnë kushte për vendbanime më të mbrojtura dhe zhvillim të qëndrueshëm të komunave.