Policia ka ngritur kallëzime penale ndaj nëntë personave fizikë dhe një kompanie, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime gjatë realizimit të dy tenderëve në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike në Shkup, me vlerë të përgjithshme mbi 30 milionë denarë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), tetë nga të dyshuarit janë punonjës të Drejtorisë, përfshirë ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit, I.T. (53), ndërsa i nënti është drejtues i një kompanie nga Manastiri.

Hetimet kanë zbuluar dyshime për shkelje të procedurave të prokurimit gjatë vitit 2023, përfshirë pranimin e ofertave që nuk plotësonin kushtet, dokumentacion të parregullt dhe miratimin e faturave me të dhëna të pasakta.

Sipas policisë, përmes këtyre veprimeve dyshohet se një kompanie nga Shkupi i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej 29,2 milionë denarësh (rreth 475 mijë euro), ndërsa një kompanie nga Manastiri prej 782 mijë denarësh (rreth 12.700 euro).

MPB-ja thekson se të dyshuarit kanë vepruar në kundërshtim me procedurat dhe kriteret e përcaktuara, duke mundësuar pagesa të pabazuara dhe përfitime financiare të kundërligjshme.

Kallëzimet penale janë dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup për procedim të mëtejshëm.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume