“Më bindni pse duhet të iki”/ Rama pas 5 ditësh protestash: Nuk po sfidohem unë, por Shqipëria në BE! Nga Berisha te Rusia e Irani, kush fshihet pas “duarve të huaja”
Pas pesë ditësh protestash të dhunshme në Tiranë, kryeministri Edi Rama u ndal gjerësisht te zhvillimet e ditëve të fundit, duke folur për dhunën, përplasjet me Policinë, kërkesat për dorëheqjen e tij dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Dëmet nuk janë të vogla, por ndreqen”, deklaroi Rama për pasojat e protestave në kryeqytet, ndërsa theksoi se gjatë këtyre ditëve është përpjekur të mos bjerë në atë që e cilësoi “kurthi i dhunës” që kërkon gjak.
Me një prej gurëve të përdorur gjatë protestave në dorë, Rama tha se ai mund të bëhet edhe “vdekjeprurës”. Sipas kryeministrit, dhuna nuk përfaqëson studentët, por pas saj qëndron një grup prej 200-300 personash të maskuar, të cilin e quajti “grupi i zjarrit”.
Rama u ndal gjatë te punonjësit e Policisë së Shtetit, duke deklaruar se prej ditësh janë përballur me gurë, saçme, molotovë dhe flakë, ndërsa në ekrane, sipas tij, “demonizohen si autorë të dhunës”.
“Unë dua që ta nënvizoj këtë me shumë forcë, familjet e atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që janë me uniformë dhe nën uniformë marrin këtë dhuratë në breshëri, pa pushim! Me orë e orë të tëra, ndërkohë që në ekrane demonizohen si autorë të dhunës, janë familje që jetojnë me të ardhura shumë modeste, për sakrificën dhe qëndresën e këtyre heronjve të shtetit”, tha Rama.
Sipas tij, përballja e ditëve të fundit nuk lidhet vetëm me qeverinë, por edhe me rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Në këto orë që nuk po sfidohem unë, qeveria, një shumicë qeverisëse, por një rrugë, një mision, një objektiv! Sfidohet Shqipëria europiane, Shqipëria e Bashkimit Europian e vitit 2030”, u shpreh kryeministri.
“Me keqardhje të madhe them se kjo rini dhe këta studentë që janë në bulevard, janë pengje të atij grupit të zjarrit atje në krye. Të atyre me maska! Përdoren gjerësisht edhe të miturit, si ato mburojat për të përparuar, për të marrë terren, duke ia bërë të pamundur shtetit që të reagojë me forcë, me fëmijë të vegjël”, deklaroi ai.
Kryeministri bëri gjithashtu të ditur se dy ditë më parë është neutralizuar një dron me eksploziv që, sipas tij, ishte destinuar të godiste Kryeministrinë.
“Aty brenda është edhe krimi! Para dy ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv, i destinuar të godiste Kryeministrinë duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ajo ngrehina e drurit dhe një Zot e di me çfarë pasojash. Nuk ka rini që i shkon mendja për këtë plan, kjo është një dorë e huaj”, tha Rama.
Në këtë kontekst, Rama foli për atë që e cilësoi një “dorë të huaj”, duke përmendur Rusinë, Vladimir Putinin dhe Iranin. Duke iu referuar një deklarate të një dite më parë, kryeministri foli për “babain ideologjik” të Putinit, të cilin e cilësoi “udhëheqës shpirtëror”, “justifikues të të gjitha agresioneve kundër demokracisë dhe kundër Perëndimit” dhe “mistifikues të Rusisë imperialiste”.
“Dje në mënyrë të befasishme për shumëkënd, por që ma çonin vazhdimisht, por edhe mua, ‘babai’ i Vladimiroviçit, Vladimirovic Putinit foli, ‘babai’ ideologjik, udhëheqësi shpirtëror, justifikuesi i të gjitha agresioneve kundër demokracisë dhe kundër Perëndimit, mistifikuesi i Rusisë imperialiste foli, foli dhe tha: ‘Tani po, tani Shqipëria po tregon ngjyrën e vërtetë të saj, një popull kurajoz, një popull ortodoks, një popull sufistësh dhe ortodoksësh’”, deklaroi Rama.
Më tej, kryeministri deklaroi se ka të dhëna për ndërhyrje në rrjetet sociale nga ato që i quajti “duar të huaja”, duke përmendur drejtpërdrejt edhe Iranin.
“Ne kemi shumë të dhëna, do vazhdojmë ta pasurojmë atë që kemi nisur qysh në krye të herës me interferencën në rrjetet sociale të atyre ‘duarve të huaja’, ku natyrisht një dorë tjetër është republika Khomeiniste e Iranit, kulmi i dezinformimit”, tha Rama.
Ai tha gjithashtu se ka “shumë të dhëna” për interferencë në rrjetet sociale nga ato që i quajti “duar të huaja”, ndërsa Iranin e lidhi me dezinformimin.
Rama u ndal edhe te pretendimet që kanë qarkulluar për izraelitë në Shqipëri dhe ushtarë serbë pas uniformave të Policisë, duke i cilësuar ato si pjesë të një vale absurditetesh.
“Njëherë thonë se do të sjellin çifutët në Vlorë, pastaj qershia mbi tortën e kësaj marrëzie janë ushtarët serbë që na paskan ardhur këtu”, u shpreh ai.
Një pjesë të konsiderueshme të deklaratës, Rama ia kushtoi edhe kërkesave për dorëheqjen e tij. Kryeministri tha se kërkesa që ai të largohet është normale në një demokraci, por kundërshtoi mënyrën se si po kërkohet largimi i tij. Thirrjet “o në burg, o në litar” i krahasoi me ndëshkimet publike të Mesjetës.
“O në burg, o në litar! Si në ato sheshet e Mesjetës, ku njerëzit eksitohen duke parë mish njeriu në zjarr. S’jemi më në shekullin XXI. Ti do që unë të iki. Kjo është gjëja më normale në botë, por si do iki unë?! Të paktën, hajde dhe më bind pse duhet të iki, ose të të bind unë pse s’duhet të iki!”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë e lidhi më tej qëndrimin e tij në detyrë me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Dhe shqiptarët duhet ta mendojnë shumë qartë: duan këtë gjë, duan këtë apo duan BE?”, tha ai.
Duke iu përgjigjur argumentit se largimi i tij nuk do të thotë që Shqipëria nuk mund të vijojë rrugën drejt BE-së, Rama sulmoi opozitën, të cilën e cilësoi të paaftë për ta çuar përpara procesin.
“Tani thonë disa: ‘Pse do ikësh ti e ne nuk do shkojmë në BE?’ Nuk po them që po patjetër jeni të paaftë ta çoni Shqipërinë në BE. Jeni një tufë të paaftësh, mediokrish, një tufë ziliqarësh që vetëm nxisni dhunë se nuk më mundni dot me zgjedhje dhe ju ka ardhur dita te guri. E filluat me shishe uji, me vezë dhe arritët te guri”, deklaroi Rama.
Kryeministri argumentoi se negociatat me BE-në ndodhen në një fazë me afate të përcaktuara dhe se kalendari aktual shtrihet deri në fund të vitit 2027. Sipas tij, puna me Komisionin Europian kërkon vijimësi të përditshme dhe një ndryshim në drejtimin e qeverisë do ta ndërpriste këtë proces.
“Negociatat kanë kalendar, kalendari është deri në fund të 2027. Dritarja është e hapur tani dhe kalendari kërkon që çdo ditë që ne të çojmë, korrigjojmë, të japim e të marrim me Komisionin. Kjo ndërpritet”, tha ai.
Rama shtoi se ardhja e një qeverie tjetër do të kërkonte kohë për t’u përfshirë në procesin e negociatave, ndërsa këmbënguli se shteti nuk mund të dorëzohet përballë protestave të dhunshme.
“Nëse unë iki dhe të vijë ai neoballisti apo ai neokomunisti, apo të mos hyjmë tani te i matufepsuri e i çurrufjapsuri, duhet një kohë e gjatë. Do thonë: ‘Ça është kjo?’ Po marr anën më të thjeshtë. Por, nga ana tjetër, nuk dorëzohet shteti para kësaj. Shteti që do dorëzohet para kësaj nuk e merr veten për vite e vite”, deklaroi kryeministri.
Megjithatë, Rama ftoi për dialog të rinjtë dhe studentët, duke u ofruar takime në Kryeministri apo në fakultete, me ose pa praninë e kamerave.
“Unë i ftoj këdo që do të bëjë dialog, këdo që do të më takojë, me kamera e pa kamera, në Kryeministri, në fakultet, të ulemi të flasim: çfarë keni, çfarë doni, çfarë mund të bëjmë për ju, çfarë mund të bëjmë më mirë”, tha ai.
Nga ana tjetër, për personat e maskuar paralajmëroi forcim të reagimit të shtetit.
“Patjetër do shtrëngohet rrethi ndaj atyre me maska. E ka edhe ligji që ti s’mund ta fshehësh identitetin. Kushdo që të flasë me mua pa maska më ka këtu. Kush do të më çojë me gurë e me maska, shtetin e ka përballë”, deklaroi Rama.
Kryeministri komentoi edhe përdorimin e plumbave të gomës nga Policia dhe angazhimin e forcave RENEA, duke deklaruar se këto të fundit kanë detyrë të ndërhyjnë kur ka kërcënim.
“RENEA ka detyrë të dalë kur ka kërcënim. RENEA del kur luan ndeshje futbolli Shqipëri me Serbi. Patjetër, doli dhe do dalë”, tha ai.
Në fund, Rama iu drejtua edhe pronarëve të bizneseve të dëmtuara gjatë protestave. Sipas tij, deri të shtunën në mesditë ishin rreth 50 subjekte të prekura, shumica biznese të vogla, të cilave premtoi mbështetje.
“Ne do t’u gjendemi pranë dhe do t’i bëjmë, siç di unë t’i bëj, më të mira, më të forta, se çdo gjë që nuk na vret, vetëm na forcon dhe kjo që po ndodh Shqipërinë do e nxjerrë më të fortë”, përfundoi Rama.