Presidenti amerikan Donald Trump po ashpërson kritikat ndaj homologut ukrainas Volodymyr Zelensky, kur rritja e çmimeve të karburanteve shton presionin ekonomik mbi administratën amerikane.

Çmimi mesatar i karburantit në SHBA arriti 4,27 dollarë për gallon javën e kaluar. Një nga faktorët e krizës është konflikti me Iranin dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e furnizimit botëror me naftë.

Në përpjekje për të frenuar çmimet, Uashingtoni njoftoi lehtësimin e disa kufizimeve ndaj naftës ruse, vendim që mund t’i sjellë Moskës të ardhura shtesë për financimin e luftës.

Trump ka kritikuar sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse dhe ka vënë në dyshim gatishmërinë e Zelenskyt për paqe, duke sugjeruar se Ukraina duhet të ketë një udhëheqës tjetër. Nga ana tjetër, Kievi argumenton se rafineritë ruse ndihmojnë në financimin e luftës dhe përbëjnë objektiva ushtarake.

Ndërkohë, gjatë samitit të Këshillit Evropian në Bruksel, Zelensky kërkoi mbështetje për Ukrainën, e cila përgatitet për një dimër të vështirë. Presidenti ukrainas vlerësoi se lufta do të kushtojë 155 miliardë euro vitin e ardhshëm, ku 70 miliardë euro duhet të mbulohen nga vendet evropiane. Kredia prej 90 miliardë eurosh, e miratuar nga BE për nevojat financiare të Ukrainës, nuk pritet të jetë e mjaftueshme.

E ndersa sigurimi i fondeve të reja po bëhet më i vështirë, ne Francë, Marine Le Pen ka kundërshtuar kontributet e mëtejshme për Kievin po ashtu edhe partia gjermane AfD kërkon që Berlini të mos financojë më Ukrainën. Këto qëndrime pasqyrojnë lodhjen e një pjese të opinionit publik evropian nga lufta dhe kostot e saj.

Udhëheqësit e BE i kanë kërkuar Komisionit Evropian të paraqesë deri në nëntor alternativa për të mbuluar mungesën e fondeve, borxhin e përbashkët dhe përdorimin e aseteve ruse të ngrira. Ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare, ndërsa Evropa përballet me një vendim të vështirë: të sigurojë financimin e nevojshëm për Ukrainën apo të rrezikojë që Rusia të fitojë epërsi në luftë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume