Ka ndërruar jetë imami dhe profesori universitar nga fshati Gllogjë komuna e Tearcës, Nashit ef. Mustafa, i njohur për kontributin e tij në fushën e arsimit islam dhe veprimtarinë fetare, njofton tetova1.
Nashit ef. Mustafa ishte një nga intelektualët fetarë nga treva e Tetovës, i cili një pjesë të rëndësishme të jetës ia kushtoi shërbimit fetar, edukimit dhe studimeve islame.
Ai lindi në fshatin Gllogjë të komuna e Tearcës ku kreu edhe shkollën fillore, ndërsa më pas vazhdoi shkollimin në Medresenë e Prishtinës. Studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Islame në Riad të Arabisë Saudite, në vitin 1982.
Pas përfundimit të studimeve universitare, Mustafa vazhdoi studimet pasuniversitare në Fakultetin e Misionizmit, Devtul-Islam, në Riad, ku në mars të vitit 1986 mori gradën e magjistrit me temën “Islamizmi në Jugosllavi”.
Pas kthimit nga Riadi, ai shërbeu si misionar fetar dhe imam në fshatin e tij të lindjes, Gllogjë, ndërsa ushtroi edhe detyrën e referentit për arsimin fetar pranë Myftinisë së Tetovës.
Përveç angazhimit të tij në shërbimin fetar dhe arsimor, Nashit ef. Mustafa kontribuoi edhe në fushën e publicistikës islame, duke bashkëpunuar me revista të njohura fetare, ndër to “Dituria Islame” në Prishtinë dhe “Hëna e Re”.
Me ndarjen e tij nga jeta, familja, bashkëvendësit dhe komuniteti fetar humbin një personalitet që i kushtoi vite të tëra shërbimit fetar dhe përhapjes së dijes islame.