Minçev: Akademia për Trajnimin Profesional do të jetë themeli i një brezi të ri administratorësh publikë
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, deklaroi se një administratë publike profesionale, efikase dhe e përgjegjshme mund të ndërtohet vetëm me nëpunës që kanë njohuri, kompetenca dhe kapacitete për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve informon Tetovasot.
Duke folur në konferencën “Udhërrëfyesi për Akademinë për Trajnimin Profesional dhe Aftësimin e Nëpunësve Administrativë: Mision i përbashkët”, Minçev theksoi se reforma në administratën publike nuk përfundon me miratimin e ligjeve dhe procedurave, por duhet të dëshmohet përmes cilësisë së punës së institucioneve dhe shërbimeve që marrin qytetarët.
“Administrata profesionale nuk ndërtohet vetëm me rregulla të reja, por edhe me njerëz që kanë njohuri, integritet dhe aftësi për t’i zbatuar ato. Prandaj Akademinë e shohim si një mekanizëm të përhershëm për zhvillim profesional dhe jo si një projekt me kohëzgjatje të kufizuar”, u shpreh Minçev.
Sipas tij, Akademia është pjesë e procesit më të gjerë të profesionalizimit të administratës publike. Ministria tashmë po punon në krijimin e bazës institucionale, modelit organizativ, programeve të trajnimit dhe përcaktimin e prioriteteve, ndërsa synimi është që Akademia të nisë punën në fillim të vitit 2027.
Në konferencë foli edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ReSPA (Shkolla Rajonale për Administratë Publike), Jelena Mrdak, e cila vlerësoi rëndësinë e partneritetit dhe bashkëpunimit institucional në procesin e themelimit të Akademisë.
Minçev nënvizoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe ReSPA përbën një bazë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Akademisë, duke theksuar se mbështetja duhet të fokusohet në nevojat konkrete të administratës përmes programeve moderne të trajnimit, shkëmbimit të ekspertizës dhe zbatimit të praktikave evropiane dhe rajonale.
Gjatë konferencës u prezantuan vizioni, rezultatet e deritanishme dhe udhërrëfyesi për zhvillimin e Akademisë, ndërsa përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve zhvilluan diskutime mbi prioritetet dhe koordinimin e mbështetjes së ardhshme.
Ministria e Administratës Publike theksoi se mbetet e përkushtuar për krijimin e një Akademie funksionale dhe të qëndrueshme, e cila do të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë profesional të administratës dhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.Tetovasot



