Ministria e arsimit dhe shkencës po punon për avancimin e arsimit, zhvillimin e kompetencave bashkëkohore te nxënësit dhe krijimin e një sistemi funksional për këshillimin për karrierë, i cili do t’i ndihmojë të rinjtë të identifikojnë potencialet e tyre dhe të marrin vendime të informuara për zgjedhjen e arsimit dhe profesionit.

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në fjalën e saj në aktivitetin e organizuar nga INOVA, kushtuar njohjes së nxënësve të shkollave të mesme me botën reale të biznesit, profesionet bashkëkohore, mundësitë për zhvillimin e biznesit të tyre dhe aftësitë e nevojshme për sukses në një mjedis dinamik biznesi.

„Është mirë të kemi sa më shumë aktivitete që u hapin të rinjve dyert drejt së ardhmes. Ky është një prej tyre. Mirënjohje për ekipin e INOVA-s që u mundëson nxënësve të shkollave të mesme të takohen drejtpërdrejt me botën e inovacionit dhe sipërmarrjes, si dhe i nxit të zbulojnë interesat dhe talentet e tyre”, tha Janevska.

Ajo theksoi se zhvillimi i shpejtë teknologjik, inteligjenca artificiale, inovacionet e gjelbra dhe transformimi digjital krijojnë mundësi të reja, por njëkohësisht parashtrojnë edhe kërkesa të reja sa u përket njohurive, aftësive dhe kualifikimeve që u nevojiten të rinjve për t’u integruar me sukses në tregun e punës.

Në at drejtim „Ministria po zbaton reforma për ta përshtatur arsimin me nevojat bashkëkohore të shoqërisë dhe ekonomisë.” Nga ky vit shkollor, mbi 10.800 nxënës të vitit të parë të arsimit të mesëm profesional ndjekin mësimin sipas programeve mësimore të modernizuara, në të cilat janë integruar kompetencat STEM, aftësitë e gjelbra dhe digjitale në të gjitha drejtimet profesionale. Për të mbështetur zbatimin e reformës, janë trajnuar 569 mësimdhënës, ndërsa është forcuar më tej edhe bashkëpunimi me sektorin privat.

Këshillimi për karrierë përbën segmentin e dytë të rëndësishëm në mbështetjen e të rinjve. Ministrja theksoi se, përmes ndryshimeve në legjislacionin për arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe akteve përkatëse nënligjore, këshillimi për karrierë në shkolla është rregulluar në mënyrë sistematike.

Janë krijuar dy regjistra: Regjistri i koordinatorëve për orientimin profesional të nxënësve në shkollat fillore dhe Regjistri i këshilltarëve për karrierë në shkollat e mesme. Në ato  regjistrohen bashkëpunëtorët profesionalë dhe këshilltarët për karrierë, të cilët kanë ndjekur trajnimet përkatëse dhe janë aftësuar për t’u ofruar nxënësve mbështetje efektive gjatë zgjedhjes së arsimimit të mëtejshëm dhe zhvillimit të tyre profesional.

„Qëllimi ynë nuk është vetëm ta realizojmë agjendën e Reformave në letër, por të krijojmë një sistem funksional të këshillimit për karrierë, i cili do t’i ndihmojë vërtet të rinjtë të gjejnë rrugën e tyre”, tha ministrja Janevska.

Shprehu pritshmëri se përvojat dhe shembujt e profesionistëve të suksesshëm, me të cilët nxënësit e shkollave të mesme do të kenë mundësi të njihen gjatë aktivitetit, do të shërbejnë si frymëzim shtesë për zhvillimin e tyre personal dhe profesional, si dhe si nxitje që të ardhmen e tyre arsimore dhe profesionale ta ndërtojnë në vend.

 

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume