Është kompletuar Grupin Punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para dhomave të Specializuara në Hagë.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë janë bërë publik edhe emrat e partive politike që do të jenë pjesë e këtij grupi.

Në mbledhjen e sotme Kryesia e Kuvendit ka vendosur që institucioni ligjvënës në këtë grup të përfaqësohet nga nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku.
Lëvizja Vetëvendosje në këtë grup do të përfaqësohet nga deputeti Adnan Rrustemi, PDK-ja nga deputeti Uran Ismaili, LDK-ja nga deputeti Kujtim Shala, kurse Aleanca nga deputeti Bekë Berisha.

Paraprakisht, Qeveria ka bërë me dije se kryetar i këtij grupi do të jetë zëvendëskryeministri i parë Glauk Konjufca.

Deri me tani, nuk dihet se Presidenca nga kush do të përfaqësohet në këtë grup.

Pas mbledhjes së Kryesisë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për themelimin e këtij grupi punues.

“Po ashtu, do t’ju njoftoj se Kryesia e Kuvendit ka caktuar nënkryetaren e Kuvendit, zonjën Vlora Çitaku, si anëtare në grupin punues për harmonizimin e strategjisë shtetërore qytetare lidhur me procedurat e afatit para Dhomave të Specializuara në Hagë. Si kryetare e Kuvendit, unë kam thirrur në vazhdimësi takime me anëtarët e tjerë, çka sapo e deleguam në këtë grup, në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të jep kontribut maksimal. Por, po ashtu, natyrisht që do të ftohen edhe ekspertë të fushës që mund të japin kontributin e tyre profesional në këtë grup. Pra, si vendim e kam mirëpritur dhe vlerësoj që është rruga e duhur në përballjen tonë me këtë proces të rëndë dhe po ashtu të padrejtë”, ka thënë Haxhiu.