Deputetja e pavarur australiane, Helen Haines, 65 vjeçe, është përplasur nga një automjet jashtë zyrës së saj në qytetin Wangaratta, në shtetin e Viktorias.

Sipas raportimeve të mediave australiane, politikania ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa i është amputuar njëra këmbë.

Ngjarja u konfirmua nga kryeministri australian, Anthony Albanese, i cili bëri të ditur se deputetja është transportuar në spital. Ndërkohë, policia ka arrestuar një 43-vjeçar, i cili dyshohet se është i përfshirë në ngjarje.

Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i automjetit fillimisht ka kaluar pranë 65-vjeçares, më pas ka bërë një kthesë dhe është përplasur me të, duke e bllokuar poshtë automjetit.

Policia e Viktorias njoftoi se automjeti që përplasi deputeten ishte një Toyota LandCruiser e bardhë. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:35, jashtë një zyre në rrugën Murphy.

I dyshuari, një banor i zonës së Tarrawingee, rreth 10 kilometra larg Wangaratta-s, u ndalua nga një kalimtar pasi doli nga automjeti. Gjatë kontrollit, brenda makinës u gjet edhe një thikë.

Autoritetet po hetojnë nëse përplasja ishte e qëllimshme. Deri më tani, motivi i ngjarjes mbetet i paqartë, ndërsa policia nuk ka konfirmuar nëse deputetja dhe personi i arrestuar njiheshin me njëri-tjetrin.

Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, Helen Haines pritet të transportohet me helikopter drejt Melburnit, ku do të marrë trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Helen Haines përfaqëson zonën zgjedhore Indi, në verilindje të shtetit të Viktorias, që prej vitit 2019.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume