Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit kundër Jani Makradulit, ish-drejtor i përgjithshëm dhe kryetar i Bordit Drejtues të SHA-së “Posta e Maqedonisë së Veriut”, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, sipas nenit 353 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Policisë Financiare, gjatë periudhës 2021–2022, Makraduli nuk ka vepruar në përputhje me Statutin e shoqërisë dhe Ligjin për Shoqëritë Tregtare, pasi nuk ka zbatuar vendimet dhe konkluzionet e Bordit Drejtues për shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj dy subjekteve juridike, në vlerë të përgjithshme prej 19.292.984 denarësh, përcjell TS.
Edhe pse i ishte dorëzuar dokumentacioni i nevojshëm për realizimin e pagesave, ai nuk e kishte nënshkruar marrëveshjen për shlyerjen e borxhit, nuk i kishte konfirmuar faturat dhe nuk i kishte nënshkruar urdhërpagesat.
Si pasojë e mosrealizimit të këtyre detyrimeve, kundër shoqërisë shtetërore aksionare janë iniciuar procedura gjyqësore, të cilat kanë përfunduar me aktgjykime që kanë përcaktuar detyrimin për pagesën e kamatës ndëshkuese.
Në njoftimin e Drejtorisë së Policisë Financiare thuhet se, si pasojë e veprimeve të tilla, SHA-së “Posta e Maqedonisë së Veriut” i është shkaktuar dëm financiar në vlerë prej 10.968.483 denarësh, në bazë të kamatës ndëshkuese./TS/