Gjykata Themelore në Gjilan ka shqiptuar 25 vjet burgim ndaj Egzon Shallkit, i akuzuar për vrasjen e Auron Ferizit në Viti, më 8 shtator 2025.
Sipas aktgjykimit, Shallki, në gjendje të “aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore”, me veturën e tij kishte goditur një grup personash që po qëndronin në një tavolinë në sheshin “Bafti Haxhiu”, në rrugën “Hasan Kabashi” në Viti.
Si pasojë e goditjes, disa persona pësuan lëndime trupore, ndërsa Auron Ferizi, pas transferimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), humbi jetën më 10 shtator 2025, si pasojë e plagëve të marra.
Trupi gjykues ka arsyetuar se dënimi prej 25 vjetësh burgim, dhe jo burgim i përjetshëm, është përcaktuar duke marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese të rastit, si dhe kufizimet që parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Gjykata ka theksuar se, sipas nenit 41, paragrafit 3, të Kodit Penal, burgimi i përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet një personi që në kohën e kryerjes së veprës penale ka pasur aftësi esencialisht të zvogëluar mendore.
“Gjithashtu ndaj të akuzuarit shqiptohet edhe dënimi plotësues – marrja e lejes së vozitjes në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vitesh, e cila merret kur ky aktgjykim të merr formën e prerë derisa koha e mbajtur në burg nuk llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi”.
“Trupi gjykues me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit ka marr parasysh rënduese dhe lehtësuese dhe ka përcaktuar dënimin me burgim prej 25 vitesh e jo dënimin me burgim të përjetshëm, meqenëse ndaj personave të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale janë nën moshën 21 vjeç dhe atyre që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë në aftësi esencialisht të zvogëluar mendore, siç ishte rasti i të akuzuarit është e ndaluar një gjë e tillë ashtu siç përcaktohet në nenin 41 paragrafi 3 të KPRK-ës ku theksohet që “Dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale nuk i ka mbushur njëzetenjë (21) vjet ose personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka pasur aftësi esencialisht të zvogëluar mendore”.
“Gjykata do të nxjerrë aktvendim të veçantë me të cilin i vazhdohet masa paraburgimit të pandehurit E. Sh., derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv