Policia portugeze ndërhyri sot paradite në Lisbonë dhe Porto, duke çmontuar kampet e protestuesve që kundërshtojnë përkeqësimin e krizës së strehimit në vend, sipas Reuters.
Gjatë operacionit u arrestuan 55 persona, të cilët, sipas policisë, kishin refuzuar të largoheshin vullnetarisht nga zonat e pushtuara.
Në Lisbonë, protestuesit kishin ngritur rreth 200 tenda në sheshin qendror ”Rossio” që prej së shtunës, ndërsa në Porto aktivistët kishin qëndruar prej rreth 10 ditësh në sheshin ”Dom Joao”.
Operacionet e koordinuara nisën pasi autoritetet i kishin paralajmëruar protestuesit se kampet ishin të paligjshme.
Në Porto, demonstruesit i çmontuan vetë tendat, ndërsa në Lisbonë policia ndërhyri për të liruar sheshin.
Përfaqësuesja e protestuesve në Lisbonë, Carla Valadao, e cilësoi ndërhyrjen policore si tepër agresive dhe paralajmëroi se protesta do të rifillonte në orën 19:00.
Nga ana tjetër, drejtuesi i policisë së sigurisë publike, Sergio Soares, deklaroi se operacioni ishte zhvilluar në mënyrë të qetë, proporcionale dhe të përshtatshme, pa sulme të organizuara nga policia.
Ai konfirmoi arrestimin e 55 personave dhe bëri të ditur se dy persona kishin pësuar lëndime të lehta.
Protestuesit kërkojnë që qeveria e qendrës së djathtë të tërheqë një projektligj që synon të lehtësojë procedurat e dëbimit të qiramarrësve dhe të heqë kufizimet mbi qiratë në kontratat e reja.
Nisma ka kaluar fazën e parë të shqyrtimit në parlament, ndërsa debati për masat e propozuara ka shtuar pakënaqësinë e aktivistëve për të drejtën e strehimit.
Portugalia po përballet me një nga krizat më të rënda të banimit në Evropë.