Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot njëzëri e miratoi konkluzionin për finalizimin e rezultateve nga rrethi i parë i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, ku më 1 nëntor do të mbahet rrethi i dytë.

Kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq në mbledhjen e sotme të 23-të informoi se kanë skaduar të dy afatet ligjore për parashtrimin e ankesave, ndërsa në Komision nuk është parashtruar asnjë ankesë.

“Dua të informoj publikun se kanë skaduar të dy afatet për parashtrimin e ankesave, ai për procedurën e votimit, i cili skadoi dje në orën 19:00, dhe ai për procedurën e përcaktimit dhe përmbledhjes së rezultateve të votimit, i cili ishte deri sot në orën 12:30. Deri në skadimin e këtyre dy afateve, asnjë ankesë nuk ishte paraqitur në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve”, tha Mariçiqi.

Sipas konkluzionit të miratuar, pas votimit të mbajtur më 18 tetor, në të cilin nuk u zgjodh kryetar në rrethin e parë të zgjedhjeve, rrethi i dytë në Bërvenicë do të mbahet më 1 nëntor.

Në rrethin e dytë do të marrin pjesë kandidati me numër rendor 1, Stojanço Radiçevski nga koalicioni “Maqedonia e juaj”, i kryesuar nga VMRO-DPMNE dhe kandidati me numër rendor 6, Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume