Shkruan: Hasan Jashari

Hegeli thotë se anarkia është më e keqe se terrori shtetëror. Shqipëria, siç duket, nuk ka nxjerrë mësime nga anarkia e vitit 1997.
Po shohim se ditët e fundit, në Shqipëri, gjërat po ecin keq. Unë nuk dua ta mbroj Edi Ramën, por disa nga qëndrimet dhe veprimet që po shoh më duken tepër naive, madje edhe vulgare. Si mund të ketë njerëz që mbrojnë qëndrimin se Rama duhet të rrëzohet me dhunë dhe se e vetmja zgjidhje është dorëheqja e tij? Apo pretendimet se në Tiranë kanë ardhur policë nga Serbia, apo agjentë të Mossadit?
Çdo qeverisje, pas zgjedhjeve dhe marrjes së pushtetit, qoftë si shumicë parlamentare, qoftë si forcë qeverisëse, bën gabime dhe pëson rënie të rejtingut. Por një gjë duhet ta kemi të qartë: dhuna dhe përpjekjet për të mbajtur ose për të marrë pushtetin përmes saj kanë një histori të gjatë në Shqipëri. Në vitet 1991-1992, turmat shkatërruan pasurinë publike: vreshtat, fabrikat, të mbjellat, kooperativat, hekurudhat dhe pasuritë e tjera, ndërsa dëmtimi i natyrës përmes prerjes së drurëve u bë një dukuri e përhapur. Më pas erdhi dhuna gjatë zgjedhjeve të vitit 1996, rrahja e kundërshtarëve politikë dhe e komisionerëve të Partisë Socialiste, për të arritur deri te viti 1997, kur skemat piramidale, nën ombrellën politike të Sali Berishës dhe Partisë Demokratike, u shoqëruan me një katrahurë të vërtetë: hapjen e depove të armatimit dhe përhapjen e anarkisë në të gjithë vendin.
Edhe në ciklet zgjedhore të mëvonshme, Partia Demokratike është përfshirë në konflikte dhe protesta të shoqëruara me akte dhune. Gjatë qeverisjes së Sali Berishës ndodhi tragjedia e Gërdecit, në vitin 2008 ku humbën jetën 26 persona. Më pas erdhi 21 janari i vitit 2011, kur mbetën të vrarë katër protestues.
Pas vitit 2013, Partia Socialiste erdhi në pushtet. Sali Berisha ka pretenduar vazhdimisht se votat i janë vjedhur, por këto pretendime duhen shoqëruar me ankesa formale dhe me padi gjyqësore, në mënyrë që çështjet të shqyrtohen nga institucionet përkatëse. Në vend të një debati të përqendruar te mekanizmat institucionalë, kemi parë protesta të vazhdueshme në rrugë, me fishekzjarrë, kapsolla dhe bomba molotov.
Një pyetje më ka mbetur pa përgjigje: kur Sali Berisha dhe simpatizantët e tij digjnin goma në rrugë, përse nuk u përballën me pasoja të qarta ligjore? Në vendet perëndimore, veprime të tilla, kur shkelin ligjin dhe cenojnë mjedisin apo sigurinë publike, mund të ndëshkohen me gjoba të konsiderueshme, madje edhe me burgim, në varësi të veprës dhe legjislacionit përkatës. Po kështu, hedhja e bombave molotov, përdorimi i mjeteve piroteknike në mënyrë të rrezikshme dhe sulmet ndaj institucioneve nuk mund të trajtohen si veprime të zakonshme proteste. Molotovi është një mjet ndezës që mund të shkaktojë pasoja të rënda. Prandaj, duhet të identifikohen personat që i prodhojnë, i sigurojnë dhe i përdorin këto mjete, ndërsa përgjegjësit duhet të ndëshkohen sipas ligjit.
Po shohim policë që sulmohen me gurë, me dru, me shkelma dhe me bomba molotov. Në disa raste, personat e ndaluar lirohen pas disa orësh. A parashikon legjislacioni dënime për sulmin ndaj personit zyrtar? Në Maqedoninë e Veriut, sulmi fizik ndaj policit, mjekut apo gjyqtarit mund të sjellë pasoja penale, sipas rrethanave dhe dispozitave përkatëse. Në rastet e sulmeve fizike, dënimet mund të jenë të rënda. Atëherë, a ekzistojnë ligje në Shqipëri? Dhe, nëse ekzistojnë, përse qeveria e Ramës ka lejuar që Sali Berisha dhe mbështetësit e tij të sulmojnë vazhdimisht institucionet me bomba molotov, fishekzjarrë, djegie gomash dhe dëmtim të pronës? Kjo është një përgjegjësi politike që nuk mund t’i falet Ramës.
Ajo që po ndodh sot është rezultat i asaj që mund ta quajmë lojë me shtetin dhe tallje me ligjet. Kur opozita mësohet të bëjë çfarë të dojë, të promovojë dhe të praktikojë dhunën në sheshe e në rrugë, krijohet përshtypja se kjo është një sjellje normale dhe e pranueshme. Por një shoqëri nuk mund të ndërtojë demokraci të qëndrueshme duke u mësuar me dhunën.
Parlamenti jo i qetë, populli i qetë
Po shohim se në Parlamentin e Shqipërisë nuk zhvillohet një debat i mirëfilltë. Truprojat ndërhyjnë për të mbrojtur ministrat dhe kryeministrin, ndërsa përplasjet mes deputetëve janë bërë pjesë e një skene të përsëritur politik. Ky është një gabim i madh. Në shumë vende të botës janë regjistruar përleshje fizike në parlamentet kombëtare, ndër të tjera në Turqi, Korenë e Jugut, Malajzi, Izrael, Armeni, Gjeorgji, Ukrainë dhe Serbi. Këto raste dëshmojnë se tensionet parlamentare nuk janë dukuri vetëm shqiptare. Dialogu brenda parlamentit do të zvogëlonte përplasjet pozitë-opozitë.
Megjithatë, qëndrimi im është se një parlament duhet të jetë vendi ku zhvillohet konflikti politik përmes fjalës, argumentit dhe debatit të lirë. Shprehja «Parlamenti jo i qetë, populli i qetë» mund të kuptohet si një thirrje për t’i dhënë hapësirë debatit dhe përplasjes politike brenda institucioneve, në mënyrë që tensionet të mos zhvendosen në rrugë.
Praktika e ndëshkimit të deputetëve të opozitës me pezullime disajavore, për shembull për tri apo gjashtë javë, mund ta ngulfatë debatin parlamentar dhe ta bëjë Parlamentin edhe më të pafuqishëm. Ajo mund ta thellojë frustrimin e opozitës dhe ta shndërrojë institucionin në një hapësirë pa zë kritik.
Deputeti duhet të ketë liri të gjerë për të ushtruar mandatin e tij, për të kritikuar qeverinë dhe për të kundërshtuar shumicën parlamentare. Megjithatë, kjo liri nuk duhet të kuptohet si imunitet i pakufizuar nga ligji. Duhet të bëhet dallimi ndërmjet fjalës politike, protestës parlamentare dhe veprimeve të dhunshme apo shkeljeve që cenojnë të drejtat e të tjerëve. Por, dënimi ebën deputetin memec.
A grumbulloi Rama shumë pushtet në duart e tij?
Në zgjedhjet e vitit 2025, Edi Rama doli edhe më i fuqishëm politikisht. Partia Socialiste mbajti pushtetin qendror, ndërsa më herët kishte konsoliduar edhe pozitat e saj në pushtetin lokal. Por a mund të kesh një përqendrim kaq të madh të pushtetit dhe të ndihesh i qetë? Jo vetëm në Shqipëri, por në asnjë shtet me demokraci liberale përqendrimi i pushtetit nuk duhet të konsiderohet garanci për qeverisje të mirë.
Rama filloi të bënte gabime, duke u tallur me kundërshtarët politikë dhe duke ngushtuar hapësirën e debatit edhe brenda Partisë Socialiste. Edhe aty, debati shpesh zëvendësohej nga fjalime të gjata, duke lënë më pak hapësirë për dialog, mendim kritik dhe pyetje thelbësore: Debati nuk lejonte pyetjet; Pse? A mundemi? Ku po shkojmë? A kemi fuqi? A kemi përkrahje?
Një tjetër dështim i Ramës lidhet me marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe miqtë ndërkombëtarë. Është fakt se ai ndërtoi ura komunikimi dhe arriti të krijojë lidhje të rëndësishme me partnerët evropianë. Por, në këtë drejtim, duket se e teproi. Harxhoi shumë kohë duke u marrë me Evropën dhe, në njëfarë mënyre, la pas dore problemet e popullit, të rinisë dhe të njerëzve të zakonshëm. Harroi se këmbët duhet t’i kemi në tokë dhe jo kokën në hava, siç themi ne në Tetovë.
Gabimet ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë
Në raport me shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, Rama nuk u tregua sa duhet i vëmendshëm ndaj intelektualëve, profesorëve universitarë dhe personaliteteve që kanë kontribuar në mbrojtjen e arsimit, gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Pse të mos i jepet një mirënjohje, një falënderim publik, një libër apo edhe një stilolaps një profesori që ka punuar për dekada të tëra në shërbim të arsimit dhe kulturës shqiptare? Ndonjëherë, vlera e një mirënjohjeje nuk matet me çmimin e saj, por me respektin që shpreh.
Në vend të kësaj, Rama u mor shumë me Aleksandër Vuçiqin, me nisma të tilla si Ballkani i Hapur dhe me politikanë të tjerë të rajonit, përfshirë Hashim Thaçin dhe Ali Ahmetin, të cilët janë përballur me akuza apo kritika të ndryshme politike. Në këtë drejtim, ai duhej të tregonte më shumë ndjeshmëri ndaj çështjeve shqiptare dhe ndaj njerëzve që kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit, shkencës dhe kulturës kombëtare.
Dorëheqja, por si?
Edhe unë jam për dorëheqjen e Edi Ramës. Ai ka qenë tri herë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe tani po e përfundon mandatin e katërt si kryeministër. Politikisht, duket se është konsumuar.
Edhe George W. Bush, Barack Obama apo Bill Clinton mund të konsiderohen nga mbështetësit e tyre si kandidatë të mundshëm për të ushtruar përsëri detyrën e presidentit, por Kushtetuta amerikane e kufizon zgjedhjen e një personi në dy mandate presidenciale. Ky është një shembull se si institucionet dhe rregullat kushtetuese mund të vendosin kufij ndaj përqendrimit të pushtetit.
Rama e ka humbur një pjesë të rëndësishme të kredibilitetit të tij politik. Por a duhet të japë dorëheqje? Kjo është një pyetje që ngre shumë nënpyetje dhe kërkon analiza të kujdesshme.
Në emër të kujt duhet të japë dorëheqje? Kush po e kërkon atë? Një turmë protestuesish? Ata kërkojn e dhe burg. Këto janë shenja anarkie. Sipas Gustave Le Bon-it, turma ka nevojë për udhëheqje dhe orientim. Prandaj, kërkesat për ndryshim duhet të jenë të qarta, të formuluara dhe të shoqëruara me një alternativë politike. Duhet të dihet se kush qëndron pas tyre dhe çfarë propozohet për ditën e nesërme.
Shteti është çështje ekzistenciale për njeriun. Siguria publike, siguria e pronës, mbrojtja e jetës së njerëzve dhe funksionimi i institucioneve janë elemente thelbësore për vlerësimin e një qeverisjeje dhe për funksionimin e shtetit.
Immanuel Kanti, në filozofinë e tij politike, argumenton se qeniet njerëzore duhet të dalin nga «gjendja e natyrës», ku mungon një autoritet publik i përbashkët, dhe të hyjnë në një gjendje civile të drejtë, të qeverisur nga ligjet dhe institucionet publike.
Në revoltën dhe rebelimin në rrugët e Tiranës, shteti ose duket i dobët, ose interpretohet nga protestuesit si një instrument represioni i Edi Ramës e përmend fundin e Çausheskut. Ndërkohë, Sali Berisha i ofron Ramës një model përballjeje që rrezikon të prodhojë një konflikt të vazhdueshëm politik, në vend të një zgjidhjeje demokratike.
Kanti thekson rëndësinë e rendit juridik dhe të autoritetit publik. Në një shoqëri të organizuar, individët duhet t’i nënshtrohen ligjit dhe rregullave të përbashkëta, në mënyrë që liria e secilit të jetë e pajtueshme me lirinë e të tjerëve.
Prandaj, protesta studentore dhe hedhja e bombave molotov nuk mund të trajtohen si e njëjta dukuri. Protesta është një e drejtë demokratike, ndërsa dhuna dhe shkatërrimi i pronës janë çështje që duhet të trajtohen në bazë të ligjit.
A është Rama një kryeministër i suksesshëm?
Po, në disa aspekte ai mund të konsiderohet i suksesshëm. Por gabimi i tij ishte se, duke ëndërruar Evropën dhe duke u përqendruar te objektivat ndërkombëtarë, mblodhi rreth vetes njerëz që kanë dëmtuar rëndë imazhin e qeverisjes së tij.
Skandalet dhe akuzat që kanë përfshirë figura të rëndësishme të qeverisjes, si Belinda Balluku, si dhe raste të tjera që lidhen me zyrtarë të lartë, përfshirë çështjet e Erion Veliajt dhe ish-zyrtarëve të tjerë, kanë rënduar perceptimin publik për qeverinë. Në vlerësimin e përgjegjësisë së secilit duhet bërë dallimi ndërmjet akuzave, hetimeve dhe fakteve të vërtetuara nga drejtësia.
E gjithë kjo ka çmimin e vet politik. Është sikur të ecësh me një gozhdë të ndryshkur në thembër: mund të vazhdosh përpara për një kohë, por dhimbja nuk të lë të ecësh lirshëm.
Si më tutje?
Gjërat kanë shkuar larg dhe pajtimi politik e shoqëror do të jetë i vështirë. Megjithatë, demokracia liberale ka normat dhe mekanizmat e saj. Nëse grupi i studentëve dëshiron të bëhet faktor politik, duhet të organizohet, të krijojë një subjekt politik, të hartojë një program konkret dhe të marrë pjesë në zgjedhje.
Pushteti buron nga vota e popullit dhe nuk merret vetëm përmes dorëheqjes së dikujt apo përmes presionit të dhunshëm në rrugë. Kushtetuta dhe ligjet përcaktojnë se si krijohet shumica parlamentare, si formohet qeveria dhe si realizohet ndërrimi i pushtetit.
Megjithatë, nëse kriza politike vazhdon dhe institucionet nuk arrijnë të krijojnë një zgjidhje të besueshme, zgjedhjet e parakohshme mund të bëhen të domosdoshme. Sipas vlerësimit tim, Edi Rama është politikisht i konsumuar dhe vendi ka nevojë për një fazë të re të qeverisjes.
Por, pavarësisht se çfarë do të ndodhë, duhet ta kemi parasysh një skenar të mundshëm: edhe nëse në zgjedhje fiton një grup studentësh apo një koalicion i partive të vogla, pas një muaji mund ta kemi përsëri Sali Berishën në rrugë, duke kërkuar protesta kundër qeverisë së re. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë: ndërrimi i pushtetit nuk i zhduk automatikisht konfliktet politike dhe problemet e demokracisë.
Të gjitha forcat progresive duhet të ndihmojnë në qetësimin e situatës dhe në hapjen e një dialogu të gjerë shoqëror për tejkalimin e krizës. Nuk ka shtet pa probleme, madje as pa konflikte dhe episode dhune. Por përgjegjësia e forcave politike është që këto probleme të mos shndërrohen në një zjarr që përfshin të gjithë shoqërinë.
Kush i fryn zjarrit në këtë rrëmujë nuk i shërben as demokracisë, as qytetarëve dhe as shtetit. Atje po ndizni zjarr, ndërsa ne, këndej kufirit, po e ndiejmë të ftohtin që vjen prej tij.
Prof. Dr. Hasan Jashari

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume