OVL-UÇK ka reaguar në lidhje me zhvillime e fundit, ku PDK-ja ka kërkuar nga presidentja Justina Shiroka-Pula që ta kthejë ndryshim-ligjin për Gjykatën Speciale në Kuvend.

Kjo organizatë u ka bërë thirrje të gjitha partive parlamentare që të mos bëjnë politikë me këtë ligj dhe të mos e përdorin atë për interesat e tyre partiake.

Tutje në reagim thuhet se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë dëshmuar gatishmëri e vullnet të mirë për ta votuar këtë ligj, propozimet për dispozita të reja nuk duhet të shërbejnë si arsye për zvarritjen apo pengimin e procesit.

Komunikata e plotë:

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po e përcjell me shqetësim debatin rreth plotësimeve dhe ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ky ligj ka rëndësi të veçantë për luftën tonë dhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ndaj të cilëve në shkallën e parë është shqiptuar denim i papranueshëm, i padrejtë dhe krejtësisht politik.

OVL UÇK, u bën thirrje të gjitha partive parlamentare që të mos bëjnë politikë me këtë ligj dhe të mos e përdorin atë për interesat e tyre partiake.

Sipas ekspertëve juridikë që e mbështesin OVL-në e UÇK-së, ligji nuk ka asnjë pengesë juridike dhe miratimi i tij varet vetëm nga vullneti politik.

Edhe përfshirja e çështjes së faljes për krime lufte po cilësohet gabimisht si antikushtetuese, sepse edhe ligji ekzistues për Dhomat e Specializuara, shprehimisht e rregullon çështjen e faljes dhe të zbutjes së dënimit, duke ia lënë këtë kompetencë direkt Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

OVL UÇK, vlerëson se tani kur shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë dëshmuar gatishmëri e vullnet të mirë për ta votuar këtë ligj, propozimet për dispozita të reja nuk duhet të shërbejnë si arsye për zvarritjen apo pengimin e procesit.

OVL UÇK, u bën thirrje të gjitha partive politike që, në rast se ligji rikthehet në Kuvend, plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme të bëhen pa vonesa dhe të miratohen me procedurë të përshpejtuar.

Në të kundërtën, OVL UÇK paralajmëron përshkallëzimin e veprimeve dhe protestave në mbrojtje të kërkesave të veteranëve dhe të luftës sonë çlirimtare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume