Mickoski: Bullgaria po i përdor mekanizmat e BE-së për të na bllokuar, por duhet të veprojmë me mençuri
Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij me rastin e 23 Tetorit, Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, deklaroi se Maqedonia e Veriut po kalon rrugën më të gjatë dhe më të vështirë drejt Bashkimit Evropian, të rënduar nga padrejtësi dhe mosmarrëveshje dypalëshe, por theksoi se braktisja e negociatave nuk është zgjidhje. Ai kritikoi Bullgarinë, duke e akuzuar se po i përdor mekanizmat e BE-së për të bllokuar procesin eurointegrues të vendit dhe theksoi se ndaj presioneve dhe provokimeve do të përgjigjet me mençuri dhe durim.
“Besoj në të ardhmen evropiane dhe në vlerat e Evropës ku popujt e ndryshëm respektojnë njëri-tjetrin. Vendin tonë atje duhet ta ndërtojmë me reforma, dije, institucione të forta dhe me dinjitet kombëtar të ruajtur. Qytetarët tanë meritojnë një perspektivë në të cilën mund të besojnë dhe një rrugë në të cilën do të ecin me kokën lart”, tha Mickoski.
Ai theksoi se e kupton shqetësimin dhe lodhjen e qytetarëve nga pritja shumëvjeçare për anëtarësim në BE, duke nënvizuar se shteti përballet vazhdimisht me kushte dhe pengesa.
“Po e kalojmë jo vetëm rrugën më të vështirë, por edhe më të gjatë drejt BE-së, të ngarkuar me shumë shtyrje, zhgënjime dhe goditje të padrejta. Të mëdhenjtë bëjnë atë që duan, ndërsa të vegjlit atë që duhet. Kjo nuk është një frazë nga librat, por një pasqyrim i politikës reale të sotme”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, pavarësisht skepticizmit të shkaktuar nga kushtëzimet, kriteret dhe mosmarrëveshjet dypalëshe, Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të veprojë me mençuri dhe unitet.
“Për popujt e vegjël, e ardhmja është te mençuria dhe uniteti. Unë nuk e shoh politikën si një garë force, por më shumë si një lojë shahu. Edhe të mëdhenjtë mund të mposhten me mençuri”, u shpreh Mickoski.