Protestuesit i kanë vënë zjarrin derës së Ministrisë së Mjedisit. Zjarri u fik pas disa çastesh duke e lënë derën të mbuluar nga bloza.

Teksa kryeqytetin e ka mbuluar reja e tymit prej hedhjes së gazit lotsjellës nga ana e Policisë për të shpërndarë protestuesit, ata kanë rezistuar duke u përqendruar në disa zona.

Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit kanë vijuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën e grumbulluar pranë Kryeministrisë.

Raportohet se nga ana e Policisë janë hedhur po ashtu bomba shurdhuese dhe plumba gome.

Pas tensioneve të regjistruara para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit hodhën gurë në drejtim të efektivëve, Policia është vënë në ndjekje të tyre.

Një pjesë e protestuesve janë zhvendosur nga “Rruga e Durrësit”, duke marshuar në drejtim të Kryeministrisë.

Në bulevard janë vënë në lëvizje edhe autobotët ujëhedhës, të cilët kanë hedhur ujë me presion ndaj protestuesve, ndërsa efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën.

Protesta kombëtare e studentëve, e nisur para Ministrisë së Arsimit, është shoqëruar kështu me përplasje të njëpasnjëshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, ndërsa situata është tensionuar me zhvendosjen e tubimit drejt Kryeministrisë.

Teksa janë detyruar të shpërndahen në rrugë të ndryshme të Tiranës, Policia i ka ndjekur nga pas protestuesit.

Në zonën e “Myslim Shyrit”, ata u kanë vendosur flakën koshave të mbeturinave.

Dy nga protestuesit janë shoqëruar nga ambulanca për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë të paraqitur nga gazi lotsjellës.

Nga ana e protestuesve nuk ka munguar as hedhja e molotovëve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume