Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vlerësuar arritje të jashtëzakonshme rezultatin e shqiptarëve në zgjedhjet e parakohshme në Serbi të mbajtura më 25 tetor 2026, transmeton Anadolu.

MARKETING

Sipas rezultateve preliminare, “Koalicioni shqiptar” po projektohet të fitojë dy mandate, por është në garë edhe për mandatin e tretë në Kuvendin e Serbisë.

“Arritje e jashtëzakonshme! Sipas rezultateve preliminare, ‘Koalicioni Shqiptar’ ka marrë 27.230 vota në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që me rritjen prej 35 për qind të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, përkthehen në ekuivalentin e 36.761 votave për përllogaritjen e mandateve. Dy mandate të projektuara në Kuvendin e Serbisë, me garën për të tretin ende të hapur! Bashkimi politik i shqiptarëve po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar”, theksoi Kurti.

Ndërkohë, Kurti tha se Aleksandar Vuçiq ka pranuar publikisht humbjen në zgjedhje përballë Listës Studentore dhe po ashtu edhe Ivica Daçiq po përballet me një humbje të rëndë, me listën e tij që, sipas projeksioneve preliminare, mbetet nën pragun zgjedhor prej 3 për qind.

“Urime të gjithë qytetarëve dhe subjekteve politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që e bënë të mundur këtë bashkim!”, ka shkruar Kurti në fund në rrjetet sociale.

Në legjislaturën e fundit të parlamentit serb, Shaip Kamberi ishte deputeti i vetëm shqiptar.

Në tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të njohura me një emër si Lugina e Preshevës, jetojnë më shumë se 60 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në Serbi, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume