Biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se ka dëshmuar për rreth shtatë orë para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në Shqipëri, lidhur me çështjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Ai tha se para prokurorisë ka paraqitur fakte dhe dokumente për atë që i cilësoi si ndërhyrje të paligjshme në strukturën e pronësisë, mosrespektim të vendimeve gjyqësore dhe cenim të pronës private.

Pacolli deklaroi se beson në drejtësinë shqiptare dhe pret që institucionet të veprojnë në mënyrë të pavarur, duke respektuar ligjin.

Ai shtoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me SPAK-un dhe institucionet e tjera kompetente deri në sqarimin e plotë të çështjes dhe mbrojtjen e të drejtave të tij ligjore. /Gazeta Express

Postimi i plotë:

Deshmija dhe denoncimet e mija ne SPAK!

Sot pata mundësinë të paraqitesha për rreth 7 orë para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku paraqita në mënyrë të detajuar faktet, dokumentet dhe rrethanat e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

E vlerësoj këtë mundësi dhe jam i kënaqur që mundëm të sjellim përpara organit kompetent të vërtetën e plotë mbi ndërhyrjet e paligjshme në strukturën e pronësisë, shpërfilljen e vendimeve gjyqësore dhe cenimin e pronës private.

Nuk e kam humbur shpresën se në Shqipëri po bëhet drejtësi. Besoj se institucionet e drejtësisë do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe do të garantojnë respektimin e ligjit.

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me SPAK dhe me çdo institucion kompetent, deri në sqarimin e plotë të së vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtave tona ligjore.

Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave duhet të respektohen.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume