Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, sonte në emisionin “Debat në SHENJA” ka komentuar edhe rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë.
Mexhiti tha se VLEN-i do të analizojë rezultatin, duke theksuar se kandidimi për herë të parë i një kandidati nga fshati Tenovë ka sfiduar një traditë lokale, sipas së cilës kandidati duhej të vinte nga Çellopeku, fshati më i madh në komunë.
“E para është gara lokale. Rezultati është ai që është. VLEN-i bën analiza. Mendoj se në Bërvenicë thyem një tabu, që kandidati patjetër të jetë nga fshati më i madh, Çellopeku. Për herë të parë kemi dalë me një kandidat që është nga Tenova. Dhe u pa gjatë ditëve të zgjedhjeve që votuesit kanë votuar në bazë të lokalizmave. Ndoshta duhet kohë për t’i tejkaluar këto dallime dhe për të zgjedhur më të mirin. Ne për këto kemi paguar një çmim”, deklaroi Mexhiti.