Mbetje njerëzore që i përkasin një burri, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar, janë zbuluar në disa çanta shpine në lumin Rajn, në kantonin zviceran të Aargaut, pranë kufirit me Gjermaninë.

Policia dyshon se bëhet fjalë për një krim të dhunshëm.

Ngjarja u zbulua mëngjesin e së hënës, kur tre burra që ndodheshin në brigjet e lumit, në zonën e Stein, vunë re një çantë shpine në ujë. Kur arritën ta nxirrnin, ata zbuluan brenda saj një këmbë njeriu dhe njoftuan autoritetet.

Pas sinjalizimit, policia nisi kërkimet në zonë, me ndihmën e një varke dhe zhytësve. Gjatë operacionit u gjetën edhe çanta të tjera shpine që përmbanin mbetje njerëzore, të cilat, sipas autoriteteve, i përkasin një burri.

Shërbimi mjeko-ligjor i kantonit të Aargaut po kryen ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar identitetin e viktimës dhe rrethanat e vdekjes.
Policia kantonale bëri të ditur se, bazuar në gjetjet paraprake, gjithçka tregon se burri mund të ketë qenë viktimë e një krimi të dhunshëm.

Megjithatë, deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje për vendin ku mund të jetë kryer krimi, rrethanat në të cilat ka ndodhur apo identitetin e autorit të mundshëm.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të japin çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet, veçanërisht nëse kanë vënë re lëvizje ose aktivitete të dyshimta pranë brigjeve të lumit Rajn apo në zona të tjera.

Ndërkohë, prokuroria ka hapur një hetim penal për të zbardhur ngjarjen misterioze.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume