Në kuadër të konferencës ndërkombëtare DIM-ESEE 2026 – Zhvillimi dhe Inovacionet në Shfrytëzimin e Burimeve Minerale në Evropën Lindore dhe Juglindore, e cila u mbajt nga 21 deri më 23 tetor 2026 në Zagreb të Republikës së Kroacisë, këshilltari shtetëror për miniera në Ministrinë e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Filip Petrovski, mori pjesë si prezantues dhe panelist, duke paraqitur prioritetet strategjike dhe aktivitetet reformuese të Ministrisë në fushën e gjeologjisë dhe minierave.
Në kuadër të sesionit tematik kushtuar strategjive kombëtare për menaxhimin e burimeve minerale, Petrovski prezantoi Strategjinë për kërkimet gjeologjike, shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe eksploatimin e lëndëve të para minerale në Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2026–2046. Prezantimi u përqendrua te potenciali mineral i vendit, synimet zhvillimore afatgjata, modernizimi dhe digjitalizimi i të dhënave gjeologjike, përmirësimi i klimës së investimeve dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve minerale, me zbatimin e teknologjive bashkëkohore dhe standardeve të larta për mbrojtjen e mjedisit.
Petrovski mori pjesë edhe në panel-diskutimin “Rëndësia gjeopolitike dhe gjeoekonomike e Evropës Juglindore – mundësitë dhe pengesat”, ku u diskutua për rëndësinë gjeostrategjike të burimeve minerale, bashkëpunimin rajonal dhe rolin e Evropës Juglindore në sigurimin e lëndëve të para minerale kritike për nevojat e tranzicionit energjetik dhe industrial të Evropës.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të pjesëmarrjes në konferencë ishte krijimi i bazës për bashkëpunim institucional në fushën e burimeve gjeotermale. Në takimin dypalësh me dekanin e Fakultetit të Minierave, Gjeologjisë dhe Naftës pranë Universitetit të Zagrebit, prof. dr. Borivoje Pashiq, u arrit marrëveshje për vendosjen e bashkëpunimit dhe përgatitjen e përbashkët të një aplikimi për projekt në kuadër të programit evropian “Horizon Europe”, i cili synon kërkimin dhe zhvillimin e burimeve gjeotermale.
Gjatë konferencës u zhvilluan edhe disa takime pune me përfaqësues të institucioneve shtetërore, universiteteve, shërbimeve gjeologjike dhe kompanive nga rajoni dhe Evropa. Përvojat dhe praktikat e mira të shkëmbyera, veçanërisht në fushën e legjislacionit dhe menaxhimit të burimeve minerale, janë të rëndësishme edhe për aktivitetet aktuale të Ministrisë për hartimin e Ligjit të ri për Minierat dhe Ligjit të ri për Gjeologjinë, me synim harmonizimin me standardet evropiane dhe sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.
Pjesëmarrja në DIM-ESEE 2026 është pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme të Ministrisë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, promovimin e potencialit mineral kombëtar dhe krijimin e partneriteteve të reja, në funksion të realizimit të synimeve strategjike për një sektor minerar modern, konkurrues dhe të qëndrueshëm.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume