Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi
takim me Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ndodhet
për vizitë zyrtare në vend. Në takim morën pjesë: nënkryetarja e Kuvendit, Vesna
Bendevska, kryetarja e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës
së Kosovës, Imërlie Saliu-Fetai, dhe sekretarja e përgjithshme, Marina Dimovska.
Kryetari Afrim Gashi shprehu kënaqësinë për realizimin e vizitës zyrtare të Kryetares
Albulena Haxhiu, e cila është konfirmim i përkushtimit të ndërsjellë për avancimin e
marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit midis
Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ai theksoi se bashkëpunimi parlamentar midis Kuvendit të Republikës së
Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës karakterizohet nga dinamika
intensive dhe shprehu bindjen se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Theksoi se
të dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët për një rajon paqësor, të qëndrueshëm, të
sigurt dhe ekonomikisht të begatë, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në këtë

drejtim, është e rëndësishme të vazhdohet me dialogun dhe koordinimin e hapur për
çështjet me rëndësi rajonale.
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, u angazhua për
avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit konstruktiv midis Kuvendit të Republikës së
Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe theksoi se kjo është
vizita e saj e parë zyrtare në një vend të huaj si Kryetare e Kuvendit, që është konfirmim i
fortë i rëndësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunimit të frytshëm
midis dy vendeve mike.
Ajo shprehu mirënjohje që Republika e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht
qëndrim afirmativ për aderimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe
iniciativat shumëpalëshe dhe rajonale.
Në takim u bë fjalë edhe për procesin e integrimit evropian, ku bashkëbiseduesit
vlerësuan se bashkëpunimi i ndërsjellë duhet të synojë krijimin e kushteve për
përshpejtimin e integrimit evropian të të gjithë rajonit, bazuar në meritat, përmbushjen e
kritereve dhe zbatimin konsekuent të reformave.
Gashi dhe Haxhiu theksuan se do të vazhdojnë t'i inkurajojnë kontaktet midis
qytetarëve, të rinjve, komuniteteve akademike dhe subjekteve afariste, pasi këto kontakte
janë bazë e rëndësishme për miqësi dhe partneritet afatgjatë.

Kryetarët e dy kuvendeve shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet aktuale në rajon
dhe në botë dhe e theksuan nevojën për paqe, siguri dhe stabilitet.

Në fund të takimit, Gashi dhe Haxhiu shprehën bindjen se vizita do të kontribuojë në
forcimin e mëtejshëm të besimit të ndërsjellë dhe në konstatimin e mundësive konkrete për
thellimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume