Nesër zgjidhet shefi i Prokurorisë për Krim të Organizuar, 5 kandidatë në garë. Shqiptarët përballë një momenti të rëndësishëm
Nesër prokurorët publikë në Maqedoninë e Veriut do të zgjedhin shefin e ri të Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i cili do ta pasojë Islam Abazin.
Votimi do të zhvillohet nga ora 08:00 deri në 16:00, me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga prokurorët publikë të vendit.
Të drejtë vote kanë 188 prokurorë publikë, ndërsa pas përfundimit të votimit dhe numërimit të votave, Këshilli i Prokurorëve Publikë do të emërojë kandidatin që ka marrë më së shumti vota.
Në mesin e akandidatëve maqedonas Iskra Haxhi-Vasileva, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq dhe Jovan Cvetanovski është edhe Faton Azizi, kandidati i vetëm shqiptar.
Mbështetja për Faton Azizën është e rëndësishme për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e drejtësisë, veçanërisht në një institucion që ka rol të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Zgjedhja e tij do të ishte një mundësi e fuqishme për shqiptarët që të vazhdojnë të kenë përfaqësuesin e tyre në drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në vend.
Tashmë mbetet të shihet nëse Faton Azizi do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Zgjedhja e shefit të ri vjen pas përfundimit të mandatit të Islam Abazit, i cili në këtë pozitë u zgjodh në tetor të vitit 2022.
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion është një nga institucionet më të rëndësishme në vend, përgjegjëse për hetimin dhe ndjekjen e rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit të lartë dhe veprave të tjera të rënda penale.